Aktualitet dhe Lajme

Presidenti Begaj viziton Universitetin e Kalabrisë: 50 vite në shërbim të gjuhës dhe kulturës arbëreshe

Share

Përmes një postimi në llogarinë e tij perosnale “Facebook”, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka ndarë pamje nga vizita zyrtare në Universitetin e Kalabrisë, për të nderuar punën 50-vjeçare të profesorëve, studiuesve dhe studentëve të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.

Gjatë takimit me akademikë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe, Presidenti Begaj, theksoi rolin kyç të këtij institucioni si një qendër e rëndësishme në zemër të Kalabrisë, e cila “mbron, promovon dhe trashëgon me krenari gjuhën dhe kujtesën arbëreshe”.

Kreu i shtetit, vlerësoi veçanërisht figurën e themeluesit të kësaj katedre, profesor Françesko Solano, si dhe punën e palodhur të profesor Altimarit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë kontribuar me pasion në botimin e veprave të rëndësishme albanologjike.

“Kjo është ajo çfarë na duhet për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë”, u shpreh Presidenti, duke përgëzuar gjithashtu profesorët për publikimin e një teksti të ri shkollor, për mësimin e gjuhës arbëreshe.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj, nënvizoi se, “veprat janë ato që mbeten”, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të palodhura të mësuesve dhe studiuesve që kanë ruajtur me përkushtim këtë trashëgimi të vyer kulturore dhe gjuhësore ndër shekuj.

Gjithashtu, ai theksoi se komuniteti arbëresh, me më shumë se pesë shekuj histori, ka qenë një urë e fortë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë.

Gjatë vizitës në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti u prit në një takim të veçantë nga Rektori i Universitetit, profesor Nicola Leone.

Nga biblioteka e këtij institucioni, ai iu bashkua ftesës së profesor Altimarit për të mbështetur më tej bashkëpunimin akademik me tre qendrat kryesore të studimeve shqipe në Itali: në Kalabri, Palermo dhe Romë.

Presidenti Begaj, përmbylli vizitën me një mesazh të qartë: Katedra e Albanologjisë duhet të vijojë misionin e saj të lartë në ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës dhe kulturës arbëreshe, si një aset i çmuar i identitetit kombëtar dhe i lidhjeve shqiptaro-italiane.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button