Presidenti Begaj takohet me Zëvendëssekretarin e SHBA në Dayton: Mirënjohje për mbështetjen, ftojmë investitorët amerikanë në vendin tonë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, u takua me Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit në Dayton. Begaj, i shprehu mirënjohjen për miqësinë historike dhe partneritetin strategjik që SHBA ka me Shqipërinë, duke nënvizuar rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në momente kyçe të historisë shqiptare
Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të SHBA-ve në proceset demokratike të vendit, sidomos në reformën në drejtësi në forcimin e sundimit të ligjit dhe në modernizimin e institucioneve, përfshirë mbështetjen në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me fokus të veçantë në sigurinë kibernetike
“Jemi mirënjohës për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë demokratizimit transformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë reformimit historik të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Në fushën ekonomike, ai theksoi se Shqipëria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin bilateral dhe të nxisë investimet amerikane në turizëm infrastrukturë teknologji dhe siguri kibernetike, duke ftuar kompanitë amerikane të investojnë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare
“Projektet e SHBA-së siç janë ato në energjinë e rinovueshme apo transformimin digjital krijojnë mundësi punësimi dhe modernizojnë ekonominë shqiptare”, tha Presidenti
Ai vlerësoi edhe rolin e Shteteve të Bashkuara në rajon, si një faktor i pazëvendësueshëm për paqen sigurinë dhe stabilitetin, duke përcjellë mesazhin për nevojën e vijimësisë së prezencës amerikane në Ballkan
Presidenti çmoi rolin e SHBA-së në NATO dhe e njohu Zëvendëssekretarin Landau, me angazhimin e Shqipërisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes duke theksuar se; “Të jesh anëtar i NATO-s do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe Shqipëria është e përkushtuar në përmbushjen e tyre”.