Aktualitet dhe Lajme

Presidenti Begaj nderon Profesor Ismet Elezi dhe ka një mesazh për drejtësinë

Share

Këtë të hënë, përmes një video të publikuar në llogarinë e tij “Facebook”, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka ndarë pamje nga ceremoni e veçantë e organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë, me rastin e 105-vjetorit të lindjes së Profesor Ismet Elezit, një prej figurave më të shquara të së Drejtës Penale në Shqipëri.

Begaj, e vlerësoi profesorin si një figurë mbresëlënëse të shkencës juridike shqiptare, duke përcjellë njëherazi disa mesazhe kyçe mbi drejtësinë e re.

“Profesor Ismeti është vetë historia e gjallë e shkollës juridike shqiptare. Ai ka qenë model në përkushtimin ndaj dijes dhe edukimit të brezave të rinj”, u shpreh Presidenti, duke nënvizuar kontributin e jashtëzakonshëm të Elezit në ndërtimin e sistemit penal në Shqipërinë moderne.

Gjithashtu, në fjalën e tij, Kreu i Shtetit vuri theksin mbi sfidat dhe arritjet e sistemit të drejtësisë në dekadën e fundit, duke e cilësuar reformën në drejtësi si një ndër sipërmarrjet më të fuqishme të tre dekadave të fundit.

Drejtësia e re ka, gjithashtu, nevojë për gurët e vet kilometrikë, për modele dhe shembuj të integritetit e profesionalizmit”, theksoi ai.

Presidenti Begaj, vlerësoi përparimin e bërë në çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë dhe në ndërtimin e një kulture hetimi të pavarur dhe të paanshme: “Zhvillimin cilësor e dallojmë kur me kurajë, vendosmëri dhe drejtësi zbatohet ligji ndaj të fuqishmëve apo atyre që janë të paprekshëm”.

Ai theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së pastërtisë së sistemit të drejtësisë përmes vetingut të përhershëm, kontrollit të brendshëm dhe vetëpastrimit, duke shtuar se; “Drejtësia e re nuk mund të jetë e re nëse shfaq simptomat e drejtësisë së vjetër si korrupsionin, klientelizmin apo korporativizmin”.

Presidenti e përmbylli fjalën me një mesazh shprese dhe vendosmërie: “Drejtësia e re duhet pranuar si thirrje dhe kontributi për të duhet kuptuar si premtim solemn. Rruga është ende e gjatë, por suksesi është shfaqur në horizont. Mbështetja ime ndaj jush është e palëkundur”.

Në këtë aktivitet, morën pjesë personalitete të njohura të drejtësisë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademikë dhe studentë të cilëve Presidenti u garantoi mbështetjen e tij në përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të re dhe të drejtë.

 




Huazuar nga albeu.com

Back to top button