
Presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar një skemë të re imigracioni që u ofron vizë të përshpejtuar qytetarëve të huaj të pasur, të gatshëm të paguajnë të paktën 1 milion dollarë, raporton BBC
Sipas Trump, karta e re do t’u sigurojë blerësve “një rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë për të gjithë personat e kualifikuar dhe të verifikuar. Shumë emocionuese! Kompanitë tona të Mëdha Amerikane më në fund do të mund të mbajnë Talentet e tyre të paçmueshme”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Çfarë është “Trump Gold Card”?
Programi, i njoftuar për herë të parë më herët gjatë vitit, ofron një vizë amerikane për aplikantët që mund të dëshmojnë se do t’i sjellin “përfitime të rëndësishme” SHBA-së, sipas faqes zyrtare të skemës.
Lançimi i kartës vjen në një kohë kur Uashingtoni po ashpërson politikat e imigracionit, përfshirë rritjen e tarifave të vizave të punës dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm.
Sipas programit, “Trump Gold Card” garanton marrjen e rezidencës amerikane në “kohë rekord” dhe kërkon një pagesë prej 1 milion dollarësh, e cila shërben si provë se aplikanti do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike në vend.
Për bizneset që sponsorizojnë punonjës, tarifa është edhe më e lartë – 2 milionë dollarë, pa llogaritur kostot shtesë. Ndërkohë, shumë shpejt pritet të lançohet edhe versioni “Platinum”, i cili do të ofrojë përfitime të veçanta tatimore dhe do të kushtojë 5 milionë dollarë.
Përveç këtyre pagesave, mund të ketë tarifa të tjera shtesë në varësi të situatës së secilit aplikant. Çdo individ duhet gjithashtu të paguajë paraprakisht një tarifë të pakthyeshme prej 15 mijë dollarësh për përpunimin fillestar të aplikimit.
starnews.al
