Aktualitet dhe Lajme

Prapë e gjetët armikun, o të palodhur!

Share

Nga Ardian Vehbiu

Irakli Koçollari botoi në “Dita” një artikull të gjatë polemik, në përgjigje të nja-dy statuseve të mia në Facebook, lidhur me Bubulinën, arvanitët dhe raportin e këtyre me identitetin shqiptar modern.

Autori e njeh mirë fushën, madje prej tij kam mësuar shumë edhe unë, siç edhe ia kam thënë në person.

Nuk jam historian, as kam pretendime të ndërhyj dhe të korrigjoj gjykimet dhe vlerësimet e historianëve. Ajo që kam shkruar është, pikërisht, një status ku shpreh një mendim personal, një opinion prej qytetari.

Më duket e ekzagjeruar që ky status të trajtohet dhe të kritikohet prej Koçollarit, si të ishte artikull shkencor ose disertacion.

Duket që ai nuk i njeh rrjetet sociale dhe as mënyrën si komunikohet atje.

Nga ana tjetër, dhe pavarësisht nga mediumi ku artikulohem, unë i mbetem argumentit se arvanitët – veçanërisht ata prej të cilëve rridhte Bubulina, ose banorët e Jugut të Greqisë dhe të ishujve – u shkëputën prej trungut arbëror, para se arbrit të fillonin ta quanin veten “shqiptarë.”

Provë për këtë është që fjalën “shqiptar” nuk e kanë pasur dhe as e kanë përdorur as arvanitët në Greqi, as arbëreshët në Itali; dhe aq më pak si etnonim. Këtë e them si gjuhëtar, jo si historian; dhe e gjykoj me vlerë, aq sa ka vlerë argumenti nga historia e shqipes, në historinë e shqiptarëve. Adoptimi prej nesh, i emrit “shqiptar” në fund të shekullit XVII, është dëshmi e një ndryshimi të thellë të identitetit tonë kolektiv, i cili njëherazi shënjon edhe rrugëtimin tonë të vështirë nga etnia në KOMB.

Ma rrëzoni këtë argument, po të mundeni, o eruditë turmash! Dhe vetëm pastaj ejani t’i cilësoni fjalët e mia si “mjerane”!

Njëlloj i mbetem mendimit se Bubulina ARVANITE është “heroinë” e grekëve të sotëm; dhe se pjesëmarrja e saj në luftën e atij populli për Pavarësi nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen tonë shqiptare. Nëse ka shqiptarë që duan të krenohen me të, unë nuk do t’i pengoj dhe as mund t’i pengoj – por as do t’i duartrokas.

Të gjitha këto janë mendime të miat personale, të cilat ia lejoj vetes t’i shpreh në statuse në rrjetet sociale dhe t’i ndaj me miqtë e mi; dhe se t’i marrësh ato dhe t’i trajtosh si të ishin përfundime “shkencore”, siç bën autori, është t’i nxjerrësh nga konteksti dhe t’i PËRDORËSH për synimet e tua.

Koçollari ka përdorur artilerinë, për të vrarë një grenxë.

Në vend që të shprehë edhe një solidaritet minimal prej kolegu, me mua dhe kundër dhunës verbale në disa nga komentet që pasuan statuset e mia, ai më akuzon se u paskam thënë bashkëfolësve “Ma siete pazzi!”, duke i lënduar (ruajna Zot!) dhe duke shkelur etikën e domosdoshme gazetareske…

Këta njerëz që erdhën e më quajtën të shitur, gjakprishur e tradhtar.

T’i ketë shpëtuar vallë hakërrimi – me pretekstin e indinjatës – i kësaj mase të madhe kapadaijsh të vrazhdë dhe të paditur, që nesër mund të organizohen politikisht dhe ta përdorin linçimin e tjetrit jo vetëm në virtualitet, por edhe në sheshet e qyteteve?

Autorit vazhdoj t’ia respektoj përpjekjet e mëdha që ka bërë, për t’i mbajtur arvanitët dhe historinë e tyre në vëmendjen të opinionit publik në Shqipëri. Por në këtë shkrim ai flet si ideolog jo si historian, me gjuhë të vjetruar dhe përjashtuese, duke lëshuar kundër meje insinuata të denja për një komisar të Sigurimit të Shtetit a për një prokuror gjyqi politik të Enverit.

E njoh mirë atë gjuhë, sepse e kam përjetuar edhe vetë. Tani që e rigjej tek Irakli Koçollari, kujtohem me trishtim sa pak ka ndryshuar, në qasjen tonë ndaj debatit publik dhe pluralizmit të mendimit, këto tridhjetë e kusur vjet. Sikurse kujtohem sa pak ka ndryshuar, në skllavërimin tonë ndaj ideologjive (sidomos kur të vjetruara) dhe konformizmit.

Kacavarrja pas nacionalizmit folklorik nuk do ta shpëtojë Akademinë nga irrelevanca, sepse ka të tjerë që e bëjnë më fort e më mirë; dhe as nga përçmimi i hapur me të cilin po e rrethon një pjesë e madhe e opinionit publik. Si një njeri që e ka paguar shtrenjtë dhe PERSONALISHT mbrojtjen sistematike që i kam bërë, në publik, shkencës dhe traditës albanologjike – duke iu ekspozuar pështymave dhe squfurit shumë më tepër se Koçollari dhe kolegët e tij të strukur në foletë e tyre institucionale – i gjykoj këto qasje si pjesë të problemit, jo të zgjidhjes.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button