Aktualitet dhe Lajme

Politika zhgënjyese e Ramës, pas maskës së krenarisë kombëtare

Share

Nga: Gentian Alimadhi

Pas një debutimi të shumëpërfolur me diasporën greke, më 26 maj, kryeministri Edi Rama vijoi show-n e tij mediatik në Busto Arsizio, kësaj radhe për të takuar diasporën shqiptare në Itali. Fillimisht u tundova të shkoja te ky takim, pjesërisht edhe duke marrë parasysh sa e lehtë ishte bërë pjesëmarrja në aspektin logjistik nga organizatorët. Mendoja të shkoja, me idenë e fillimit të një diskutimi dhe shkëmbimi konstruktiv dhe duke shpresuar që qeveria e Tiranës t’i afrohej diasporës së vet.
E megjithatë, në fund hoqa dorë nga ky mendim nisur nga tubimi me përmasat e një fushate elektorale, i mbajtur në Athinë dy javë më parë, i cili ngjalli asgjë tjetër veçse një monolog plot retorikë nacionaliste-populiste. Në mitingun e mbajtur në Milano, përveç koncertit të mbajtur nga disa këngëtarë, të muzikës shqiptare, fjalimi që zgjati mbi 60 minuta ishte edhe më steril se ai i mbajtur në Athinë.

Diaspora priste diçka më konkrete, të prekeshin çështje ‘të nxehta’dhe aktuale, duke nisur, pse jo, edhe nga disa probleme të natyrës burokratike. Për ta konkretizuar do të jap një shembull, në dukje edhe banal; nëse një i mitur ose i rritur birësohet në Itali dhe në këtë mënyrë merr mbiemër të dyfishtë, gjendja civile shqiptare nuk parashikon transkriptimin e dy mbiemrave. Për më tepër, disa certifikata të gjendjes civile të lëshuara në Shqipëri nuk janë të përshtatshme për zyrat përkatëse në Itali.

Duke iu rikthyer përkufizimit që dhashë, diskutimi ishte “steril”, sepse referencat historike që kryeministri bëri ishin të përsëritura dhe të denja për një mësim universitar; referenca, të cilat e kanë gjenezën në Greqinë e lashtë dhe kanë ardhur duke u zvarritur deri në ditët tona. Kishte plot parrulla raciste si ato të Bossit dhe ‘kritika’ për shtypin italian që deri pak vite më parë stigmatizonte të gjithë shqiptarët si kriminelë. Si sfond për të gjithë fjalimin, u vendosën me mjeshtëri pasazhe emocionale, që i bënin jehonë vuajtjeve të shkaktuara nga eksodi biblik i ’91-shit.

Megjithatë pishmani im që nuk mora pjesë në tubim nuk zgjati shumë, madje-madje u çlirova sepse mund të isha rrahur dhe shtyrë nëse do të bashkohesha me dhjetëra të rinj nga diaspora e gjeneratës së dytë evropiane, të cilët u rrahën dhe u hodhën nga ndërtesa vetëm sepse, në mënyrë paqësore, ata donin të vendosnin një pankartë me një kërkesë të thjeshtë: #Duatevotojnë2025

Lejimi i ushtrimit të kësaj të drejte qytetare, në mënyrë aktive dhe pasive, në vendet ku jeton diaspora shqiptare, është shprehje e një shteti ligjor dhe këtë po kërkojmë; asgjë më shumë, asgjë më pak. Kushtetuta e parashikon dhe Gjykata Kushtetuese shqiptare e vendosi gati një vit më parë. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Malin e Zi, që e mohon këtë të drejtë, pavarësisht se është premtuar rregullisht nga të gjitha forcat politike në 20 vitet e fundit, sa afrohen zgjedhjet.

E vetmja meritë që mund t’i atribuoj klasës aktuale politike shqiptare është se di të shesë veten mirë jashtë vendit. Perceptimi që një evropian mesatar ka për Shqipërinë është ai i një “ishulli të lumtur”, ku mund të jetosh mirë dhe jeta nuk kushton.Megjithatë, kjo nuk mjafton për ta konsideruar atë një ishull të lumtur.

E si mund të jetë Shqipëria një vend i lumtur, kur shumica dërrmuese e qytetarëve e braktisin çdo ditë këtë vend në shifra alarmante. Mjafton të përmendim faktin që ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se sa ata që kanë mbetur në Shqipëri. Vdekjet e dikurshme në ngushticën e Otrantos janë zëvendësuar me viktimat e sotme në ngushticën e La Manche-it.

Ka shumë shqiptarë në diasporë që janë të vetëdijshëm dhe nuk mashtrohen nga shkëlqimi i krenarisë kombëtare që dëshiron të ngjizë kryeministri shqiptar me mitingjet e tij elektorale, të cilat, janë të mbushura vetëm me anakronizëm dhe patos të dëmshëm. Personalisht, më duket e gabuar të mbushësh zemrat e të pranishmëve me retorikë emocionale me rrëfimin e vuajtjeve torturuese të eksodit dhe të vdekjeve në det.

Batutës së Ramës se disa vite më parë i përkufizonte italianët “si shqiptarë të veshur me Versace”, i përgjigjem duke thënë se “Rama është një diktator perëndimor i veshur me atlete”.

Si pjesëtar i diasporës shqiptare që numëron më shumë se 500 mijë njësi në Itali, ndihem i aftë për të lexuar realitetin dhe të dhënat katastrofike që portretizojnë Shqipërinë. Italianët nuk largohen nga vendi për t’u dhënë shpresë fëmijëve të tyre, nuk largohen nga vendi për t’u kuruar edhe nga sëmundjet më të kurueshme, nuk largohen nga vendi sepse shkollat italiane nuk njihen jashtë e kështu me radhë.
Unë do të doja një politikë të bërë nga të rinjtë, deri tani të mbytur nga dinosaurët e ‘sigurimit’, një politikë që lufton pabarazitë sociale dhe afirmon drejtësinë sociale. Ëndërroj një Shqipëri ku nuk jemi të detyruar të zgjedhim vetëm mes dy alternativave: të pajtohemi me djallin ose të ikim kushedi se ku. Unë ëndërroj për një vend që nuk zë vendet e fundit në renditjen ndërkombëtare për lirinë e medias dhe që algoritmet nuk errësojnë vetëm artikujt e shtypit që kritikojnë qeverinë, do të doja një vend ku pseudolufta kundër korrupsionit nuk çon as në më shumë korrupsion.

Ëndërroj një vend ku kryeministri nuk thërret, me arrogancën e një despoti, drejtuesin e televizivionit Report tv, për të ndërprerë dokumentarin që zbulon ‘kutinë e Pandorës’. Me pak fjalë, ëndërroj për një vend që më bën vërtet krenar.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button