Aktualitet dhe Lajme

Plani i administratës Trump për transformimin e saj në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”, Hamasi: Gaza nuk është në shitje

Share

Një zyrtar i Hamasit është shprehur ditën e sotme se Rripi i Gazës “nuk është në shitje”, një ditë pasi një raport i Washington Post detajoi planin e administratës Trump për të transformuar Rripin e Gazës në një Rivierë të Lindjes së Mesme.

Raporti i WP, erdhi disa ditë pas një takimi në Uashington për të cilin i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, tha se supozohej të diskutohej një “plan shumë gjithëpërfshirës” për periudhën e pasluftës në Rripin e Gazës.

Plani prej 38 faqesh, sipas Washington Post, do të shihte zhvendosjen “vullnetare” të rreth dy milionë banorëve të Gazës në vende të tjera ose zona të sigurta brenda enklavës palestineze, e cila është shkatërruar nga gati dy vjet luftë, ndërsa po rindërtohet për t’u bërë një qendër turizmi dhe teknologjie.

Territori palestinez do të vihej nën administrimin e një entiteti të quajtur GREAT Trust për 10 vjet, i cili më pas do t’i hapte rrugën një “entiteti palestinez të reformuar dhe të deradikalizuar”, tha burimi. Ata që bien dakord të largohen do të merrnin 5,000 dollarë në para të gatshme, si dhe ndihmë që mbulon katër vjet qira dhe një vit ushqim, sipas planit të raportuar nga Post.

Pronarëve të tokave do t’u ofrohej një “kupon dixhital” në këmbim të të drejtave për të rindërtuar pronën e tyre, tha Post. Sipas botimit, plani titullohet “Rindërtimi i Gazës, Përshpejtimi Ekonomik dhe Transformimi Trust, ose GREAT Trust” dhe është zhvilluar nga GHF.

Pas planit të SHBA-së qëndron Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, i financuar në mënyrë të fshehtë, i cili filloi shpërndarjen e ndihmave në maj.

“Gaza nuk është në shitje”, tha Bassem Naim, një anëtar i byrosë politike të Hamasit, në mediat sociale, duke argumentuar se territori është një pjesë integrale e atdheut të madh palestinez. Ai tha gjithashtu se Hamasi dhe populli i tyre e refuzojnë këtë plan.

Në fillim të gushtit, OKB njoftoi se më shumë se 1,000 njerëz janë vrarë duke u përpjekur të marrin ndihmë në Gaza që kur GHF filloi të vepronte në maj 2025. Shumica e viktimave u qëlluan nga forcat izraelite që vepronin pranë objekteve të GHF. Më 4 shkurt, presidenti amerikan deklaroi publikisht për herë të parë se SHBA-të duhet të “marrin në dorë” Rripin e Gazës të rrafshuar dhe të uritur, dhe ta rindërtojnë atë në një “Rivierë të Lindjes së Mesme” pasi të zhvendosin popullsinë palestineze diku tjetër.

Kjo deklaratë qëllimi nga Trump zemëroi shumë palestinezë dhe organizata humanitare në lidhje me zhvendosjen e mundshme me forcë nga Gaza. Plani u refuzua nga vendet arabe dhe perëndimore, si dhe nga OKB-ja. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbështeti planin e shpallur në shkurt nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili deklaroi se donte të merrte “kontrollin” e Gazës dhe ta shndërronte atë në Rivierën e Lindjes së Mesme, duke përsëritur se popullsia e zonës mund të zhvendosej diku tjetër.

“Hamasi i hedh poshtë të gjitha këto plane që zhvendosin popullin tonë dhe e mbajnë pushtuesin në tokën tonë”, tha një zyrtar tjetër i Hamasit, duke folur në kushte anonimiteti.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button