Aktualitet dhe Lajme

Plakja e popullsisë në Shqipëri/ Vetëm 9% e bonusit të bebeve u përdor në janar-prill

Share

Sipas të dhënave të Raportit të Monitorimit të Treguesve Financiarë për vitin 2025, nga fondi prej 2,25 miliardë lekësh i vënë në dispozicion për bonusin e bebes, janë realizuar vetëm 8,8% e pagesave, duke mbuluar 6,940 lindje për periudhën janar-prill.

Pra, sipas të dhënave të Raportit të Monitorimit të Treguesve Financiarë, ulet numri i bebeve që përfituan bonusin për periudhën janar -prill 2025, duke ndjekur tendencën rënëse të numrit të përfituesve nga viti në vit.

Ndërsa për vitin 2024, me një fond të ngjashëm prej 2,2 miliardë lekësh u realizuan 27% e pagesave për 8,672 lindje, ku 6,985 përfitues të bonusit ishin për lindjet brenda vendit dhe 1,687 bebe përfituese, apo 20% e tyre ishin jashtë vendit.

Rënia e numrit të bebeve të lindura brenda vendit përfituese të bonusit për janar-prill 2025 është rreth 1 % më pak se janar-prill 2024.

Të dhënat tregojnë një trend në rënie të bebeve përfituese që kanë lindur brenda vendit. Për janar-prill 2023, fondi i bonusit të bebes mbuloi pagesat për 11,707 lindje brenda vendit dhe 5,107 prej tyre ishin për lindjet jashtë vendit.

Në total, numri i përfituesve ra me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Megjithatë, rreth 43% e përfituesve në 2023 rezultuan të kishin lindur jashtë Shqipërisë.

Sipas të dhënave të INSTAT, për 3-mujorin e parë të vit në rang vendi numri i lindjeve ishte 4,662.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024, numri i lindjeve ra rreth 23%.

Ndërsa përfitimi nga totali i fondit të bonusit në masën 20, 30 deri 50% për bebet që lindnin jashtë, ishte një fenomen i qëndrueshëm prej nisjes së programit në vitin 2019.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në katër vite 2019–2022 u shpërndanë 11,5 miliardë lekë për 161,943 bebe përfituese, nga të cilët rreth 33% kanë lindur jashtë Shqipërisë.

Bonusi i bebes, që ofron çekun me vlerë deri në 120,000 lekë për lindjen e fëmijës, deri në fund të vitit 2023 është përfituar edhe nga familjet shqiptare që jetonin jashtë, për sa kohë që fëmija regjistrohet në Shqipëri.

Për shkak të përqindjes së lartë të përfituesve jashtë vendit dhe kufizimeve buxhetore, në maj të vitit 2023 Ministria e Shëndetësisë propozoi ndryshime ligjor, për të përjashtuar nga përfitimi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri.

Ndryshimet në ligjin nr. 57/2019, “për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” hynë në fuqi në nëntor 2023.

Ndërsa në muajin dhjetor 2023, me ndryshimet e miratuara në VKM “Për përcaktimin e masës dhe të procedurës së dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe mënyrën e bashkëpunimit, ndërmjet institucioneve të shërbimit spitalor dhe atyre të gjendjes civile” qeveria vendosi edhe një kusht të ri, ku njëri prej prindërve apo të dy prindërit duhet të kenë jetuar të paktën 180 ditë (gati 6 muaj) brenda Shqipërisë gjatë vitit para se të lindë fëmija me qëllim përfitimin e bonusit.

Të dhënat do të verifikoheshin nëpërmjet sistemit TIMS, që regjistron kur hyn dhe del nga Shqipëria nëpërmjet kufirit. Prinderit duhet të plotësojë një formular vetëdeklarim, ku shkruan që jetojne në Shqipëri.

Po ashtu, kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës elektorale të muajit maj, tha se bonusi i bebes do të zëvendësohet me një skemë të re pagesave të menjëhershme sipas numrit të fëmijëve për periudha 2, 3 apo 5 vjeçare./ Monitor




Huazuar nga albeu.com

Back to top button