Pjesë e trupës gjykuese të dosjes së “21 Janarit”, KPA shkarkon nga detyra gjyqtaren e Tiranës

Kolegji i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Ardiana Bera.
Vendimi u mor ditën e sotme nga trupa gjykuese Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë. Ardiana Bera u konfirmua në detyrë më datë 26.04.2024, vendim i cili më pas u ankimua nga institucioni i Komisionerëve Publikë për gjetje në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin.
Gjyqtarja e Tiranës nuk arriti të justifikonte të ardhurat financiare me burime të ligjshme, si dhe nuk ka mundur të arsyetojë blerjen e një apartamenti në Tiranë. Bera nuk mundi as të justifikonte huanë prej 2 milionë lekësh të marra nga vëllezërit, burim për të cilat ishte shprehur se ishte emigracioni.
Sakaq, për anën profesionale, Bera ka qenë anëtare e trupës gjykuese për dosjen e 21 janarit teksa ka shpallur të pafajshëm dy gardistët e akuzuar për vrasjen e protestuesëve të protestës së 21 Janarit, Ndrea Prendi dhe Agim Llupi.