Aktualitet dhe Lajme

Përmbytjet/ Kuçana: Durrësi nën ujë, Bashkia në gjendje kome! PD denoncon në SPAK Emirjana Sakon

Share

Tre ditë pas përmbytjeve në Durrës, qindra familje vijojnë ende të qëndrojnë nën ujë, skenar ky që përsëritet sa herë ka reshje shiu.

Aktualisht vijojnë të jenë rreth 500 familje dhe biznese, përfshirë dhe dhjetra hektarë tokë bujqësore nën ujë. Kushtet atmosferike nuk mund të ndryshohen, por në një qeverisje normale Bashkia mund të merrte masa për të parandaluar dëmet e parikuperueshme për familjet, bizneset dhe tokat bujqësore. Bashkia Durrës, e zhytur kokë e këmbë në korrupsion, vijon të jetë në gjendje kome kur bëhet fjalë për ti ardhur në ndihmë qytetarëve në situata të katastrofave të tilla, por për të bërë fushatë për kreun e krimit të organizuar, Edi Ramën kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako zgjohet.

Partia Demokratike e cilëson skandaloze situatën e krijuar më 30 janar 2025, ku si pasojë e keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë institucionale, përfshirë korrupsionin galopant jo vetëm të kësaj bashkie por të të gjitha bashkive në vend, qindra familje vuajnë pasoja të jashtëzakonshme ekonomike.

Kanalet kulluese në Durrës dhe komunat Ishëm, Manëz, Katund i Ri, Rrashbull ,ish Kënetë, Spitallë  e Sukth edhe sot mbeten të bllokuara. Hidrovori dështoj, pasi nga 9 pompa funksionale, vetëm 4 ishin në punë, megjithëse janë 20 milionë dollarë të marra nga fondet e rindërtimit.

Shpërdorimi dhe grabitja e fondeve publike janë e vërteta e përmbytjes së Durrësit.

PD kërkon që, ashtu sikurse e parashikon ligji, të përllogariten dëmet sa më shpejt, për çdo familje e biznes të dëmtuar dhe dëmshpërblimin e tyre të menjëhershëm.

Dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje vlerësohet të jenë mbi 10 milionë euro, të cilat duhet të kompensohen menjëherë sipas ligjit të emergjencave civile.

Partia Demokratike ka vendosur të depozitojë një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, zv. kryeministres Belinda Balluku dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, për shpërdorim detyre dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Durrësi u përmbyt jo vetëm nga shirat, por mbi të gjitha nga korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve. Partia Demokratike do të ndjekë çdo hap ligjor për të çuar përpara drejtësisë përgjegjësit e kësaj katastrofe!

Partia Demokratike gjithashtu i bën thirrje çdo shqiptari që të dal në protestën kombëtare kundër zhvatjes dhe kundër luksit të shfrenuar të Edi Ramës.  Më datën 8 shkurt, ora 17:00, të gjithë në Tiranë.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button