Përfshihet nga zjarri zona naftëmbajtëse në Kuçovë, në rrezik pesë puse dhe banesat

Një zjarr i fuqishëm përfshiu një zonë me kallamishte në qytetin e Kuçovës, pranë puseve aktive të naftës, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës përreth. Flakët, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik si puset naftëmbajtëse, ashtu edhe banesat përreth.
Menjëherë pas sinjalizimit, përveç zjarrfikësve të Kuçovës, në ndihmë u angazhuan edhe forcat e zjarrfikëses së Beratit, për të frenuar përmasat e mundshme të katastrofës.
Pas më shumë se një ore përpjekjesh intensive, shërbimet arritën të vënë flakët nën kontroll. Fatmirësisht nuk ka dëme në infrastrukturë apo puse, ndërsa ekipet janë ende në terren për të monitoruar vatrat e mbetura pranë zonës naftëmbajtëse.
Nga zjarri janë djegur rreth 2 hektarë me shkurre, kallamishte dhe bimësi të dendur.