Aktualitet dhe Lajme

Përdorimi i fëmijëve për klikime: Një traumë që nuk fshihet me “like”

Share

Videoja e fundit që qarkulloi në TikTok, ku influencuesja Hatixhe Brika “shtyn dhe godet” një fëmijë 2-3 vjeç si pjesë e një sfide, ndezi zemërimin e publikut. Pamja mund të duket si një shaka e thjeshtë, një moment argëtues për ndjekësit, por në të vërtetë është pasqyrë e një realiteti të dhimbshëm: fëmijët po kthehen në mjete për klikime, pa asnjë ndjeshmëri për pasojat që kjo sjell tek ata.

Nuk janë të pakëta blogeret që kanë kthyer në “biznes” fëmijët e tyre dhe i ekspozojnë ata edhe në situatat më delikate e private të përditshmërisë, pa menduar gjatë për pasojat që lë ky ekspozim në psikologjinë dhe rritjen e tyre.

Në këtë moshë, fëmijët janë në fazën më të brishtë të zhvillimit. Çdo përvojë e tyre, e mirë apo e keqe, lë gjurmë. Një shtyrje, një goditje, një përdorim i imazhit të tyre për “humor” ose për spektakël nuk është “lojë” për ta. Është një eksperiencë reale që trupi dhe kujtesa emocionale e regjistrojnë. Dhe kur kjo ndodh përpara një kamere, duke u shndërruar në argëtim publik, përjetimi bëhet edhe më i rëndë: fëmija nuk po trajtohet si qenie me ndjenja, por si “material për ndjekës”.

Sociologia Entela Binjaku e ka përkufizuar qartë këtë fenomen:

“Një pjesë e madhe e të miturve janë mjaft të tërhequr nga platformat sociale, sepse ato janë të pamundura për t’u shmangur. Ndër pasojat negative që përjetojnë të miturit janë shpërqendrimi, humbja e vëmendjes, rënia e disiplinës… Ndodh që edhe ata vetë tentojnë të imitojnë modelet që shohin, por kjo njohje në rrjet iu kthehet në boomerang.”

Ky “boomerang” është thelbi i problemit. Shkenca ka treguar se fëmijët që ekspozohen ndaj dhunës së hershme, edhe në forma të lehta, rriten me më shumë pasiguri, ankth dhe vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme.

Në të njëjtën kohë, ky normalizim i dhunës nuk prek vetëm fëmijët që përdoren në video, por edhe ata që i shohin ato. Një fëmijë që sheh bashkëmoshatarin e tij të shtyhet dhe të qeshet për këtë, mëson se sjellja e dhunshme është e pranueshme. Dhe kështu nis një cikël ku bullizmi dhe agresioni nuk duken më të papranueshme, por si pjesë e lojës së përditshme.

Ndërkohë, platformat e rrjeteve sociale e shpërblejnë këtë sjellje: një video e tillë bëhet virale, merr mijëra klikime dhe komente. Por çfarë mbetet pas? Për influencuesin, një moment famë që do të shuhet kur trendi i radhës të vijë. Për fëmijën, një kujtim i hidhur që nuk fshihet dot me “like”. Një ndjesi e hershme se nuk ishte i mbrojtur, se u përdor për të qeshur të tjerët. Dhe kjo është traumë që mund ta ndjekë gjatë gjithë jetës.

Përdorimi i fëmijëve për klikime është problem shëndeti publik. Studimet ndërkombëtare tregojnë se ekspozimi i hershëm në rrjete sociale, sidomos në përmbajtje tallëse apo dhunuese, lidhet me rritje të ndjeshme të rasteve të ankthit, depresionit dhe madje edhe mendimeve vetëvrasëse tek adoleshentët. Nuk është më çështje “sa ndjekës keni”, por “sa plagë lini pas”.

Fëmijëria duhet të jetë hapësira e sigurisë, ku një fëmijë mëson dashurinë, ndjeshmërinë dhe besimin. Kur kjo hapësirë prishet dhe kthehet në skenë për spektakël publik, atëherë jo vetëm fëmija dëmtohet, por e gjithë shoqëria humbet. Sepse rrit një brez që mëson se vlera e tyre matet me klikime dhe jo me kujdesin e dhënë.

Prandaj, çdo video ku një fëmijë përdoret për argëtim është një akt dhune të cilin nuk duhet ta normalizojmë.

A do të vazhdojmë të qeshim me trauma të vogla që kthehen në plagë të mëdha, apo do të zgjedhim të mbrojmë fëmijët tanë nga etja e pashpirt për famë?




Huazuar nga albeu.com

Back to top button