Pas Von der Leyen, Borrell do të takojë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të zhvillojë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Nju Jork.
Kjo u njoftua sot nga Komisioni Evropian, sipas të cilit takimi do të mbahet në kuadër të aktiviteteve të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sesioni do të ketë një delegacion të lartë nga BE-ja, përfshirë Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Prioriteti i BE-së do të jetë adresimi i konflikteve dhe krizave në nivel global”, theksohet në njoftim.
Në një takim të veçantë, presidentja von der Leyen, u takua të enjten në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mbi zgjerimin dhe një plan për rritje ekonomike për rajonin.
Pas takimit, Von der Leyen, shprehu se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë një vend në Bashkimin Evropian.
“Sot pritëm liderët e gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Të gjitha këto vende e kanë vendin në Evropë, dhe për këtë jemi duke punuar. Po ashtu, po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre me të tona përmes Planit tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin”, shkroi ajo.