Aktualitet dhe Lajme

Pas shkarkimit të Altin Bashës, emërohet drejtori i përkohshëm i Teatrit Kombëtar

Share

Indrit Çobani do të jetë përkohësisht në krye të Teatrit Kombëtar. Emërimi i tij ka ardhur pas shkarkimit të Altin Bashës si drejtor i Teatrit Kombëtar.

Emërimi përkohësisht i Çobanit në krye të TK ka ardhur me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Përmes një reagimi zyrtar MEKI bën me dije se pas lirimit të Bashës nga posti që mbante do të çelet një proces përzgjedhjeje për drejtuesin e ri të Teatrit Kombëtar.

“Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave liroi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, Altin Basha. Pas këtij lirimi MEKI do të çelë një proces përzgjedhjeje për drejtues të ri të TK. Ndryshimi synon në përmirësimin e nivelit drejtues dhe të cilësisë së mirëmenaxhimit ekonomiko-financiar dhe administrativ, rritjen e transparencës institucionale dhe sjelljen e një fryme të re komunikimi publik dhe bashkëpunimi ndaj komunitetit artistik e profesional.

Me zbardhjen e vendimit, MEKI do të komandojë si drejtues të përkohshëm z Indrit Çobani”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha u shkarkua nga detyra ditën e sotme me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Shkarkimi nga detyra i Bashës erdhi pasi një investigimit të emisionit ‘Piranja’, ku zbuluan skandalin e abuzimit me fondet e Teatrit Kombëtar.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button