
Disa vite pas krijimit të Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Dibër (UKD), Bashkia Bulqizë pritet të kalojë asetet e saj të ujësjellësit dhe kanalizimet tek kjo shoqëri. Vendimi do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të enjten, më 6 nëntor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, në rendin e ditës është përfshirë projekt-vendimi “Për transferimin e kapitalit të vlerës së aktiveve të qëndrueshme të trupëzuara ‘Rrjeti Ujësjellës’ në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Sh.A. Dibër”, me një vlerë prej 1.591.645.840 lekë, që aktualisht është në pronësi të Bashkisë Bulqizë.
Ky hap, thuhet se është pjesë e procesit të konsolidimit të aseteve që nisur nga reforma kombëtare e ujësjellësave, e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në vitin 2021.
Reforma, e shpallur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, kishte si qëllim reduktimin e numrit të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve në vend nga 58 në vetëm 15 rajonale.
Në kuadër të saj, qeveria mori 51 për qind të aksioneve në çdo kompani të re të krijuar, ndërsa pjesa tjetër iu la bashkive përkatëse, që në rastin e Dibrës përfshin bashkitë Dibër, Mat, Klos dhe Bulqizë.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Dibër u themelua në shtator të vitit 2022. Në relacionin që i është dërguar Këshillit Bashkiak Bulqizë, theksohet se asetet që lidhen me furnizimin me ujë të pijshëm për banorët dhe funksionimin e kanalizimeve janë në shërbim të Shoqërisë Rajonale dhe për këtë arsye duhet të kalojnë në inventarin e saj, së bashku me përgjegjësinë për mirëmbajtjen.
Reforma e ujësjellësave, e zbatuar prej vitit 2022, solli edhe një rritje të ndjeshme të tarifave të ujit në të gjitha qarqet e vendit. Sipas qeverisë, kjo ishte e nevojshme për “shëndoshjen financiare dhe teknike të ndërmarrjeve”, ndërsa kritikët e kanë cilësuar si një tjetër formë centralizimi që uli më tej rolin e pushtetit vendor në menaxhimin e shërbimeve bazë.
Megjithëse reforma e ujësjellësave u prezantua si një hap drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm, në realitet situata për qytetarët e Bulqizës nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Probleme të përsëritura me ndërprerjet e furnizimit, rrjetet e amortizuara dhe mungesa e investimeve të reja kanë bërë, që shumë zona të mbeten ende me orare të kufizuara ose pa ujë të pijshëm.
Në të gjitha dëgjesat publike të zhvilluara për projektbuxhetin 2026, problemi i ujësjellësit ishte tema më e përmendur nga banorët në çdo njësi administrative të Bashkisë Bulqizë. Qytetarët ngritën shqetësimin se mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në një problem të përhershëm, që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve. Ata kërkuan ndërhyrje urgjente në rrjetet e amortizuara, riparimin e tubacioneve të dëmtuara dhe investime për të siguruar furnizim të pandërprerë, sidomos gjatë stinës së verës kur mungesat bëhen më të ndjeshme.

