Pas dëgjesës problematike, Fushë-Bulqiza shpallet “non grata” nga Mjeshtri në listën e investimeve 2026

Share

Në të majtë të fotos, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri; në të djathtë, pamje nga dëgjesa publike e zhvilluar në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, në tetor 2025.

Dëgjesa publike e zhvilluar më 21 tetor në njësinë administrative Fushë-Bulqizë nxori në pah një sërë problematikash që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet bazë, duke reflektuar një realitet të vështirë për banorët e zonës.

Dëgjesa publike kishte si synim përfshirjen e qytetarëve në procesin e hartimit të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2026, duke mbledhur propozime, shqetësime dhe nevojat e banorëve. Ajo u zhvillua nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Bulqizë në të gjitha njësitë administrative, me qëllim rritjen e transparencës dhe orientimin e investimeve sipas prioriteteve të ngritura nga banorët.

Shqetësimet më të shumta në Fushë-Bulqizë u ngritën nga banorë të fshatrave Dushaj dhe Koçaj, të cilët treguan mungesën e rrugëve të asfaltuara që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë administrative, duke theksuar se izolimi po çon në braktisjen e zonës dhe largimin e të rinjve.

Ndryshe nga takimet formale me prani kryesisht të punonjësve të administratës, dëgjesa publike në Fushë-Bulqizë doli përtej dekorit propagandistik, pasi u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe aktive e qytetarëve. Banorë të shumtë nga fshatra të ndryshëm morën fjalën, ngritën shqetësime dhe kërkuan llogaridhënie, duke e kthyer takimin në “protestë” dhe jo thjesht një ushtrim formal konsultimi.

Përtej infrastrukturës rrugore, qytetarët ngritën probleme të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm, amortizimin e rrjetit elektrik si dhe kushte alarmante në shkolla, ku sipas dëshmive, mungojnë edhe elementë bazë si banjot dhe uji.

Megjithatë, shqetësimet e ngritura nga banorët duket se nuk janë reflektuar proporcionalisht në planin e investimeve për vitin 2026. Sipas dokumentit të shpërndarë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Fushë-Bulqizës i është dedikuar një fond rreth 120 mijë euro për një segment rrugor më pak se një kilometër, konkretisht në zonën e Kodrës së Danit. Një investim modest, që vjen në kontrast të fortë me problematikat e shumta të artikuluara publikisht nga banorët gjatë dëgjesës.

Në të njëjtën kohë, lista e investimeve për vitin 2026 tregon një përqendrim të dukshëm të fondeve në njësi të tjera administrative, kryesisht Shupenzë dhe Gjoricë, ku janë parashikuar projektet me vlerat disa fish më të larta, kryesisht për infrastrukturë rrugore.

Shumë banorë me të cilët komunikoi Bulqizaime.al shprehen se ky disproporcion në shpërndarjen e investimeve ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si pasqyrohen nevojat reale të komuniteteve në planifikimin buxhetor, si dhe mbi rolin real të dëgjesave publike në procesin e vendimmarrjes.

Ata thanë se shpresojnë që anëtarët e Këshillit Bashkiak të mos e miratojnë një plan të tillë investimesh dhe paralajmëruan se më 24 dhjetor do të jenë të pranishëm në mbledhjen e këshillit për ta kundërshtuar publikisht. Sipas tyre, nëse vijon diskriminimi i zonave që ngrenë zërin për kërkesa elementare si rrugët dhe uji i pijshëm, kryetarja e bashkisë “do të ketë të njëjtin fat politik si drejtues të tjerë që kanë humbur mbështetjen për shkak të qasjes përjashtuese ndaj zonave”.

Banorët i bëjnë thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak që të mos lejojnë që vendimet për investimet të nënshtrohen ndaj një individi të vetëm, duke kërkuar që shpërndarja e fondeve të bëhet në mënyrë të drejtë dhe transparente, sipas nevojave reale të komuniteteve dhe jo sipas preferencave personale të drejtuesve të bashkisë.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button