Pas arrestimit, tiktoker-i i famshëm Khaby Lame largohet nga SHBA

Khaby Lame, influencuesi më i njohur në TikTok dhe një nga personazhet më të ndjekur në botë me mbi 162 milionë ndjekës, ka lënë Shtetet e Bashkuara pas një ndalimi të shkurtër nga agjentët e emigracionit në Las Vegas.
Ai u ndalua për shkak të qëndrimit të paligjshëm pas afatit të vizës së tij.
Lame, i lindur në Senegal dhe me shtetësi italiane, mbërriti në ShBA më 30 prill të këtij viti, por sipas autoriteteve të Imigracionit dhe Doganave (ICE), ai ka tejkaluar kohën e lejuar nga viza.
Ai u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid në Las Vegas më 6 qershor, por u lirua po atë ditë dhe iu lejua që të largohej nga vendi në mënyrë vullnetare, duke shmangur kështu një urdhër formal dëbimi.
Ngjarja ndodhi në një periudhë kur administrata e Presidentit Donald Trump po ashpërson politikat e kontrollit të emigracionit, përfshirë edhe operacione të mëdha në qytete si Los Angeles, që kanë shkaktuar protesta të shumta kundër agjencisë ICE.
Ai ka arritur të fitojë një popullaritet të jashtëzakonshëm në rrjetet sociale dhe është edhe ambasador i UNICEF-it, si dhe ka bashkëpunime me marka të njohura të modës si Hugo Boss.