Parashikimi i motit 15 Mars 2025, si do të ndryshojnë temperaturat

Këtë të shtunë, vendi ynë do të mbetet nën dominimin e masave ajrore të ngrohta me origjinë oqeanike, duke sjellë mbizotërim të motit të vranët, por të ngrohtë.
Herë pas here, priten intervale të shkurtra me kthjellime.
Orët e pasdites dhe mbrëmjes do të sjellin shpeshtim të vranësirave në të gjithë vendin, por më të fokusuara vranësirat do të jenë në zonat Veriore dhe Verilindore, duke gjeneruar rrebeshe të izoluara shiu gjatë orëve të vona të natës.
Temperaturat e ajrit do të rriten ndjeshëm në të dy vlerat ekstremale ditore, duke u luhatur nga 8°C vlera minimale deri në 28°C maksimalja në rang territori.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 65 km/h nga drejtimi Jugor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim mbi 5 ballë.