fbpx
Lajme nga Dibra

Pagat “fluturojnë” për drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, punonjësit e thjeshtë vazhdojnë me pagën minimale

Share

Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka miratuar një rritje të konsiderueshme pagash për drejtuesit e bashkisë. Foto: Bulqizaime.al

Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka miratuar një rritje të konsiderueshme pagash për drejtuesit e bashkisë, e cila ka shkaktuar reagime të forta nga opozita. Me mbështetjen e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe disa partive të tjera, u vendos që pagat e drejtuesve kryesorë të bashkisë të rriten me mbi 100%, ndërsa punonjësit e thjeshtë të shërbimeve publike do të vazhdojnë të trajtohen me pagën minimale.

Sipas këtij vendimi, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, do të përfitojë pagën maksimale prej 240,000 lekësh në muaj, ose afërsisht 2,400 euro. Gjithashtu, paga e sekretarit të këshillit bashkiak është rritur në 141,000 lekë (rreth 1,400 euro), ndërsa zëvendëskryetarët do të përfitojnë 185,000 lekë në muaj (afërsisht 1,850 euro). Paga për sekretarin e përgjithshëm të bashkisë është rritur në 170,000 lekë (afërsisht 1,700 euro), ndërsa drejtuesit dhe përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm do të përfitojnë rritje të ngjashme, me drejtorët që do të marrin 141,000 lekë (rreth 1,400 euro) dhe përgjegjësit e sektorëve 105,000 lekë (afërsisht 1,050 euro) në muaj.

Nga ana tjetër, anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak e kundërshtuan ashpër këtë vendim, duke argumentuar se rritja e pagave për drejtuesit politikë nuk është e justifikuar dhe do të ketë ndikim negativ në buxhetin e bashkisë. Opozita pretendon se fondet që po përdoren për këto rritje mund të investoheshin në projekte të rëndësishme për qytetarët, në vend që të përdoreshin për përfitime personale të drejtuesve të bashkisë.

Përfaqësuesit e bashkisë hodhën poshtë këto pretendime, duke deklaruar se fondet janë të përcaktuara specifikisht për rritjen e pagave dhe nuk do të ndikojnë në investimet publike. Ata theksuan se kjo rritje është në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 503, datë 1 gusht 2024, i cili përcakton kufijtë e pagave për drejtuesit dhe funksionarët në nivel lokal. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me deri në 50,000 banorë, ku përfshihet edhe Bulqiza, ky vendim lejon që pagat e kryetarëve të bashkive të jenë nga 185,000 deri në 240,000 lekë (rreth 1,850 – 2,400 euro).

Përveç kryetares së bashkisë, rritje të ndjeshme të pagave kanë përfituar edhe administratorët e njësive administrative Bulqizë, Shupenzë dhe Gjoricë, ku paga maksimale ka arritur në 145,000 lekë (rreth 1,450 euro) në muaj. Ndërkohë, administratorët e njësive të tjera administrative do të paguhen me 140,000 lekë (rreth 1,400 euro) në muaj.

Opozita e kritikoi këtë vendim, duke theksuar se rritja e pagave për drejtuesit nuk do të përmirësojë performancën e tyre, dhe se kjo lëvizje duket më shumë si një mënyrë për të shpërblyer militantët politikë. Sipas tyre, një pjesë e drejtuesve të bashkisë nuk janë të pranishëm në zyra dhe nuk kryejnë detyrat e tyre me efikasitet.

Anëtarët e Partisë Socialiste, së bashku me disa anëtarë të partive të vogla, refuzuan kategorikisht çdo sugjerim të opozitës, duke mos pranuar asnjë ndryshim në propozimet e bëra për rritjen e pagave. Ky qëndrim u interpretua nga opozita si një akt arrogance në vendimmarrje, duke theksuar se shumica po vepronte pa marrë parasysh zërat kritikë dhe nevojat e qytetarëve, duke vendosur interesat e tyre mbi ato të komunitetit.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button