Pagat e larta të drejtuesve dhe paga minimale fryjnë shpenzimet për personelin në Bashkinë Bulqizë

Share

Shpenzimet për pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të personelit përbëjnë një nga zërat kryesorë të buxhetit të Bashkisë Bulqizë për vitin 2026. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, fondet për personelin planifikohen të shpërndahen përmes disa njësive shpenzuese që varen nga institucioni kryesor, Bashkia Bulqizë.

Këtu përfshijnë administratën qendrore të Bashkisë Bulqizë, Sport Klub Bulqiza, ndërmarrjen “Wood Bulqiza”, si dhe Agjencinë e Funksioneve të Transferueshme Bulqizë. Në total, janë afro 430 punonjës të këtyre institucioneve me linjë varësie direkte nga bashkia.

Çdo njësi ka buxhet të dedikuar për paga, shpërblime dhe kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit përkatës.

Shpenzimet janë rritur ndjeshëm edhe për shkak se një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve kanë paga të rritura në nivele maksimale, duke rënduar drejtpërdrejt fondin e pagave. Paralelisht, rritja e detyruar e shpenzimeve lidhet edhe me vendimet e qeverisë për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, e cila nga viti 2026 do të shkojë në 50 mijë lekë, duke reflektuar automatikisht kosto më të larta për administratën dhe institucionet publike.

Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për personelin në vitet e fundit, ka treguar se një pjesë e konsiderueshme e fondeve publike të bashkisë shkon për mbajtjen e administratës dhe strukturave të varësisë, duke lënë më pak hapësirë financiare për investime kapitale dhe shërbime direkte për qytetarët.

Të dhënat mbi administratën vendore tregojnë se, në vend që reforma territoriale të sillte ulje të shpenzimeve dhe rritje të eficiencës, bashkitë kanë vijuar të zgjerojnë ndjeshëm numrin e punonjësve, shpesh për arsye elektorale.

Numri i të punësuarve në pushtetin vendor është rritur me ritme të vazhdueshme edhe pas vitit 2015, pavarësisht tkurrjes demografike dhe emigrimit masiv, duke e kthyer administratën në një barrë gjithnjë e më të rëndë financiare për buxhetet lokale. Rritja e forcës së punës është shoqëruar kryesisht me shtim të pozicioneve të specialistëve dhe drejtuesve, ndërkohë që performanca e shërbimeve publike dhe niveli i investimeve mbeten në shifra kritike.

Sipas dokumentit zyrtar “Mbi listën e investimeve për vitin 2026”, fondet e planifikuara nga Bashkia Bulqizë do të përqendrohen kryesisht në investime infrastrukturore, me fokus pothuajse tërësor në rrugë.

Buxheti i Bashkisë Bulqizë për vitin 2026 parashikohet në një vlerë totale prej rreth 10.08 milionë euro, nga të cilat 1.4 milionë euro janë të ardhura të veta të bashkisë. Pesha kryesore e financimit vjen nga transferta e pakushtëzuar, e cila arrin në rreth 4.75 milionë euro, si dhe nga transferta e pakushtëzuar sektoriale me rreth 2.16 milionë euro, ndërsa të ardhurat e trashëguara kapin vlerën e afro 1.77 milionë eurove.

Sa i përket shpenzimeve, mbi gjysmën e buxhetit e zënë shpenzimet për personelin, me rreth 5.35 milionë euro ose 53% të totalit. Shpenzimet operative parashikohen në rreth 2.29 milionë euro (23%), ndërsa shpenzimet kapitale, të destinuara kryesisht për investime, arrijnë në rreth 2.43 milionë euro, duke zënë 24% të buxhetit vjetor.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button