Aktualitet dhe Lajme

Osmani takohet me Kaja Kallas në Tiranë: Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt BE

Share

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ditën e sotme në Tiranë përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas.

Osmani ka shpërndarë një fotografi me të, ku shkruan se Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Kënaqësi të takohem me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, një mbështetëse e kahmotshme për një Evropë të sigurt e të bashkuar.

Duke qenë se gjatë vizitës së saj javën e ardhshme në Kosovë do të jem në një vizitë shtetërore të paracaktuar jashtë vendit, takimin e realizuam në Tiranë.

Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shkroi ajo.

Osmani shton se është koha që BE t’i përgjigjet këtij momenti me guxim, qartësi dhe vendosmëri, tipare këto që e karakterizojnë lidershipin e Përfaqësueses së Lartë Kallas.

Presidentja po përfaqëson Kosovën në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë.

Osmani para nisjes së këtij Samiti, në një deklaratë për media tha se ka një bllokadë totale nga ana e Bashkimit Evropian dhe nuk po vlerësohet puna e Kosovës.

“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera.

Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë.

Më shumë po iu hapet në raport me ata që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”, u shpreh Osmani.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button