Aktualitet dhe Lajme

Osmani: BE duhet t’ia heqë masat Kosovës dhe t’i ndalë politikat akomoduese ndaj Serbisë

Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje përsëri Bashkimit Evropian t’i heqë masat ndëshkuese të bllokut kundër Kosovës dhe t’i shqyrtojë “me seriozitet politikat destabilizuese” të Serbisë.

Në një shkrim në Facebook për Ditën e Evropës – e cila është festë zyrtare në Kosovë më 9 maj – Osmani tha se është e rëndësishme që pikërisht në këtë ditë të kërkohet “me një zë heqja e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Osmani gjithashtu bëri thirrje për “trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë —të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te [presidenti rus Vladimir] Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”.

Ajo theksoi se, në mënyrë që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, “duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”.

Vuçiq mbërriti në Moskë të enjten, për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, dhe u takua me presidentin rus Putini për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Bashkimi Evropian shprehu keqardhje të thellë për shkuarjen e Vuçiqit në Moskë dhe pjesëmarrjen në një ngjarje që Rusia, sipas Brukselit, e shfrytëzon për qëllime propagandistike.

Derisa Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat, Serbia është në proces negociatash për anëtarësim në BE që nga viti 2014, por nuk ka hapur asnjë kapitull të ri që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të refuzimit për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit, autoritetet në Beograd kanë vazhduar të ruajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën./REL




Huazuar nga albeu.com

Back to top button