Operacioni “Ura”,Lala:U gjetën 3 milionë Euro të groposura në oborrin e banesës…

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë më shumë detaje lidhur me operacionin ndërkombëtar i quajtur “Ura” që u zhvillua në Shqipëri e Itali, i cili ka goditur një grup të fuqishëm kriminal me bazë në zonën e Shijakut, që merrej me trafikim të drogave të forta e pastrim parash.
Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Lala e ka quajtur operacionin e zhvilluar si një nga goditjet më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme që nga nisja e funksionimit të saj.
“Unë nuk do ta quaj një grupim kriminal, por do ta konsideroja një nga goditjet më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme që nga nisja e funksionimit të saj në këndvështrimin tim. Ideja është që unë do ta konsideroj organizatë kriminale se ka të bëjë me një grupim kryesor dhe disa nëngrupime. Nuk janë përdorur vetëm përgjimet e Sky Ecc apo EncroChat në këtë rast janë edhe tre bashkëpunëtorë të drejtësisë, një ndër të cilët edhe Nuredin Dumani, i cili ka folur për herë të parë atëherë kur nuk ishte zbërthyer Sky Ecc në lidhje me aktivitetin e këtij grupimi. Janë disa personazhe kryesorë që konsiderohen…”, thekson gazetarja.
Gazetarja Lala shprehet se në oborrin e banesës së një prej personazheve kryesore në grupin e Durrësit që u godit nga ky operacion një vit më parë është gjetur e groposur një shumë prej 3 milionë Euro kesh.
“Kush janë personazhet kryesor në grupin e Durrësit? Bëhet fjalë për Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës, i cili e shoh në dosjne hetimore si figura qëndrore, pra grosisti kryesor. Jeton në Durrës. Në oborrin e një prej banesave të tij është gjetur shuma prej 3 milionë Euro kesh vitin e kaluar. Është gjetur e groposur. Është fakt!”, shprehet gazetarja Lala.
Kujtojmë se në kuadër të operacionit “Ura”, janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri e Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar. “Ura” u finalizua në orët e para të kësaj të mërkure, si rezultat i një hetimi të zhvilluar me skuadër të përbashkët hetimore mes SPAK dhe prokurorisë italiane. 21 prej masave të sigurisë u lëshuan në Shqipëri.