Aktualitet dhe Lajme

Operacioni kundër firmave piramidale online/ Zbardhet skema, si funksiononte rrjeti i mashtrimit, identifikohen të arrestuarit (EMRAT)

Share

Mbrëmjen e djeshme, policia e Fierit, zhvilloi një operacion të gjerë në lidhje me skemat mashtruese të firmave piramidale online, ku viktima janë bërë dhjetëra qytetarë, kryesisht nga zonat e Divjakës dhe Lushnjes.

Ky operacion, u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve.

Nga ana e strukturave të specializuara të Polcisië së Shtetit, nisur nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët për mashtrime online me pretendimin e investimeve duke përfituar, por në të vërtetë ishin skema piramidale duke mashtuar qytetarët dhe përfituar paratë e tyre të investuara në këto skema piramidale, menjëherë filloi puna për investigimin, sigurimin e informacionit dhe goditjen e tyre, krahas kësaj nga Policia e Shtetit u njoftuan qytetarët që të mos kryenin asnjë veprim në të tilla skema pridamidale.

Në vijim të punës voluminoze, hetimore dhe profesionale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “XUEX”,, operacion i cili u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Ky operacion, është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave.

Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash.

Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt.

Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram.

Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si; USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.

Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.

Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës.

Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.

Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi – janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit.

Policia e Shtetit, do të vazhdojë punën me përkushtim për të goditur çdo formë të krimit kibernetik dhe ekonomik, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar përmes strukturave tona ose platformave zyrtare të komunikimit. Faleminderit dhe tani Drejtori i qarkut do bëjë me dije rezultate e operacionit në qarkun Fier.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Ç., 38-vjeç, E. T., 21-vjeç, F. M., 23-vjeç, të tre banues në Lushnje, M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë, B. T., 38-vjeçe dhe B.N., 38-vjeçe, të dyja banuese në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 35-vjeç dhe A. Sh. 29-vjeçe, të dy banues në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.

Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese.
Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në system, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.

Të arrestuarit janë:

-Arbër Çela, 38-vjeç, Lushnje

-Emanuel Taullau, 21-vjeç, Lushnje

-Flavio Mukaj, 23-vjeç, Lushnje

-Marius Kodra, 28-vjeç, Tiranë

-Brunilda Todi, 38-vjeçe, Divjakë

-Brunilda Ndini, 38-vjeçe, Divjakë

Të shpallur në kërkim:

-E. Sh., 35-vjeç, Divjakë

-A. Sh., 29-vjeçe, Divjakë

Të gjithë këta persona, dyshohen për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim kompjuterik”.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-50 celularë

-11 kompjuterë

-1 DVR, 2 hard disk

-1 automjet

-4.2 milion lekë

-28 mijë euro

-1,750 dollarë

-340 franga zvicerane

-6 llogari kriptomonedhash, të ngrira si pjesë e hetimit

Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Duke përfituar nga rasti dua të siguroj qytetarët e qarkut Fier se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla.

Në këtë kuadër ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112 duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e professional nga ana e strukturave të policisë.

 




Huazuar nga albeu.com

Back to top button