Aktualitet dhe Lajme

Operacioni i SPAK në Tiranë, reagon IMT për arrestimin e inspektorëve

Share

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka reaguar fill pas operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku në pranga kanë rënë dy inspektorë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Me qëllim sqarimin e opinionit publik, IMT shkruan se institucioni shtetëror distancohet plotësisht nga ky rast dhe se dënon maksimalisht veprimtarinë e paligjme të dy punonjësve ndërsa njofton se Gerald Fuçia dhe Edmond Çela, të arrestuar, dhe dy inspektorët e tjerë të shpallur në kërkim, janë shkarkuar nga detyra.

Reagimi i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Tiranë:

Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.

Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.

Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij.

SPAK dhe Policia e Shtetit po vijojnë në zhvillimin e operacionit me qëllim goditjen e rasteve të korrupsionit pranë IMT. Deri më tani në pranga kanë rënë Gerald Fuçia dhe Edmond Çela, të cilët u kërkonin para bizneseve të ndryshme me qëllim moskryerjen e veprimeve për shkeljet e kryera nga ata. Konkretisht bëhet fjalë për mosheqjen e tendave të lokaleve, një aksion që po zhvillohet në shkallë të gjerë me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Ndërkohë në kërkim është shpallur dhe Klajdi Zhilla, shofer i drejtorit të IMT-së së Tiranës, Ersid Hasanllari, si dhe një tjetër person emri i të cilit ende nuk është bërë me dije për mediat.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button