“Njeri jam dhe unë”, dhunoi shoferin e kamionit bashkë me vëllain e tij, reagon Bledion Nallbati: Ftoj SPAK të marrë kamerat filmike

Kandidati i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, ka reaguar në lidhje me sherrin e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku së bashku me vëllain e tij dhunuan një shofer kamioni.
Për mediat, Nallbati thotë se mban përgjegjësi dhe thekson se duhet të qëndronte i matur duke e kondiseruar si provokim ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00.
“Ditën e djeshme, rreth orës 21:00, ka ndodhur një incident që më ka përfshirë mua, vëllain tim dhe një mjet të tonazhit të rëndë. Pranoj me përgjegjësi të plotë që duhet të qëndroja me maturi ndaj këtyre lloj provokimeve, megjithatë, jam njeri para se të jem politikan. Dënojmë çdo lloj forme dhune, verbale apo fizike, pavarësisht se u përfshimë në një incident pa dëshirën tonë. E vërteta transformohet sipas interesit publik të momentit. Keni parë video të pjesshme, jo të plota’’, ka thënë ai.
Ndërkohë, kandidati për deputet sqaron se nuk ishin ata që i zunë rrugën kamionit, ndërsa shpjegon se ishin duke udhëtuar nga Kapshtica. Gjithashtu, në reagimin e tij, ka shprehur se ka tentuar ta shmangte por ishte nën emocionet pasi sipas tij shoferi e kishte sharë.
’’Nuk është e vërtetë që unë apo vëllai im i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica drejt qytetit, dhe në rrethrrotullim është hapur një gropë, të cilën këta pushtetarë që keqinformojnë ngjarjen nuk e riparojnë. Mjeti im uli shpejtësinë, ndërsa kamioni ishte pas me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident. Në këto kushte ndaluam, dhe doli vëllai im që ishte shofer, e pas tij unë. Kam tentuar shumë herë të shmang këtë konflikt, edhe pse isha nën emocionet e një përplasjeje të mundshme dhe të rrezikshme. Edhe shoferi, padiskutim, pati një reagim jo të duhur, duke sharë mua dhe vëllain tim. Emocioni ndonjëherë prevalon mbi arsyen, por jam njeri. Nuk i përkas racës së njerëzve si Niko Peleshi e të tjerë që janë marrë me këtë çështje”, tha ai.
Ndërkohë, shpreh se kamerat filmike duhet të hetohen nga SPAK, pasi sipas tij janë devijuar informacionet.
“Këta nuk cenohen në dinjitetin e tyre e të familjes, mjafton karrigia e pushtetit që të vjedhin paratë e qytetarëve. Ftoj SPAK të marrë pamjet e tjera filmike për të parë çfarë ka ndodhur në mënyrë të qartë. Telefonuam policinë e komisariatit për të sqaruar një ngjarje që mund të kishte patur pasoja, por edhe për konfliktin. Policia, në vend që të qartësonte situatën, edhe pse vëllai im dhe shoferi u shoqëruan dhe deklaruan që ishte konflikt momental dhe keqkuptim, madje firmosën deklaratat se nuk kishin asnjë problem me njëri-tjetrin, veproi me urdhër personal të Niko Peleshit, i cili ka komunikuar me drejtuesit e policisë së qarkut të Korçës. Për çfarë komunikoi Peleshi me drejtorin e Policisë?
Cila ishte arsyeja që kjo ngjarje u transferua me forcë në komisariatin e Korçës, dhe me prezencën e vetë drejtorit të policisë u ngrit një akuzë e falsifikuar? Në pamjet filmike, edhe pse mjetet ndaluan, vepra penale ekziston kur largohesh nga vendi i ngjarjes. Si mund të largohej mjeti kur kishte një aksident të mundshëm dhe ne kishim telefonuar policinë? Mjetet e tjera vazhdonin të kalonin. Të tria akuzat nuk qëndrojnë. Kam informacion që duhet ta verifikoni ju dhe ftoj edhe SPAK-un: dje, drejtori i Policisë është thirrur dhe ka pezulluar shefin e komisariatit dhe shefin e krimeve”, tha ai.
Policia e Korçës ka arrestuar vëllain e deputetit të PD, Bledion Nallbati, Alti Nallbati pas ngjarjes së paprecedentë të ndodhur mbrëmjen e djeshme ku dhunojnë shoferin e një kamioni.
Bledioni dhe i vëllai i njohur me nofkën “Duçja”, janë konfliktuar me shoferin e një kamioni, shtetasin S.D., për motive ende të paqarta.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në qytetin e Bilishtit, ndërsa përmes pamjeve filmike të kamerave shihet se si deputeti i PD dhe vëllai i tij dalin nga makina dhe sulmojnë shoferin e kamionit, duke tentuar ta nxjerrin nga mjeti, më pas edhe e godasin me grusht.
Fillimisht Nallbati përpiqet të ndalojë sherrin, por më pas u përfshi vetë duke sulmuar shoferin e trajlerit. Në vendngjarje janë mbledhur edhe persona të tjerë të rastësishëm.