“Një njeri që e ktheu fjalën në art”/ Timo Flloko për humbjen e Artur Zhejit: Personalitet i jashtëzakonshëm!

Gazetari dhe analisti Artur Zheji mbylli sytë përgjithmonë mesditën e së shtunës, duke lënë pas një boshllëk të madh në fushën e mendimit dhe debatit intelektual.
Në një intervistë në podcastin “N’xhiro me Syçin” të gazetarit Ilir Demaliaj, aktori dhe regjisori i madh Timo Flloko rrëfeu njohjen e tij Artur Zheji, duke e cilësuar atë si një personalitet të rrallë dhe të paharrueshëm.
Ilir Demaliaj: Artur Zheji është nga ata njerëz që lënë boshllëk kur largohen, një të tillë e ka lënë dhe Ardian Klosi. E them këtë sepse ne si shoqëri jo vetëm që po na i merr Zoti, por edhe po i largojmë nga vetja vlerat që ka pasur dhe ka ky vend akoma dhe që kanë mbetur shumë pak.
Artur Zheji ishte një model i qytetarisë, me një elokuencë shumë të rrallë. Sigurisht kur vinte fjala ai ishte djali i Petro Zhejit, gjuhëtarit të famshëm dhe përkthyesit ekselent; e po ashtu ai ishte edhe djali i Besa Imamit, një tjetre mjeshtre e fjalës dhe nipi i Gjergj dhe Vera Zhejit. Pra, Artur Zheji nuk kishte si të ishte ndryshe dhe që e kthente fjalën në art dhe e trajtonte atë me bukurinë më të madhe.
Zheji ishte një njeri elokuent, ishte që njihte shumë mirë politikën dhe gjeopolitikën. E kujtoj që fëmi, kur ishte në moshën 15 vjeç që gjithmonë- gjithmonë kur kalonte tek “Rruga e Durrësit” ai gjithmonë kishte një libër me vete. Dhe për të folur për këtë njeri shumëdimensional kam ftuar aktorin e madh që i ka dhuruar shumë e shumë filma publikut shqiptar, Timo Fllokon. Unë do jua lë fjalën juve , pasi e keni pasur me të vërtetë mik, student dhe koleg.
Timo Flloko: Me të vërtetë Artur Zheji ishte në substancë një personalitet i jashtëzakonshëm, ku veprimtaria e tij shtrihej në shumë fusha dhe dimensione të jetës si në art, në analizë, si shkencëtar i mendimit, si politolog, si opinionist dhe në shumë gjëra të tjera.
Unë nuk jam i vetmi që mund të flas për të, sepse rrezja e tij është shumë më e madhe se ç’mund të flasë njëri apo tjetri përfshi dhe ne të dy. Dhe këtë e pamë edhe dje në homazhe, ku valenca e tij është shumë e madhe.
Ai ishte një shembull i qytetarisë, ishte njeriu i televizioneve, ishte personaliteti që në një mënyrë apo një tjetër i bënte kritikë vulgaritetit të shoqërisë dhe mediave shqiptare. Tek ai fjala ishte kult. Sigurisht!