Aktualitet dhe Lajme

Një ditë pas Sali Berishës, Arlind Qori paralajmëron protestë në Tiranë

Share

“Lëvizja Bashkë”, me në krye Arlind Qorin, kanë njoftuar mbajtjen e një proteste masive në kryeqytet ku si objekt kryesor janë pensionistët. Ky tubim do të mbahet me datë 27 nëntor, një ditë pas protestës së mbajtur nga Partia Demokratike.

Me anë të një shkrimi në rrjete sociale, Qori ka treguar se pensionistët janë shtresa më e shtypur në Shqipëri teksa mbijetojnë me një pension që zor kalon pragun e minimumit jetik. Teksa thotë se qeveria ka mjaftueshëm para për të shpërndarë tek oligarkët dhe krimi, ai thotë që ky pushtet po tallet me pensionistët me një bonus qesharak që u ofron një herë në vit.

“PROTESTA E MADHE E PENSIONISTËVE

Bonusi hileqar i Edi Ramës nuk i jep zgjidhje varfërisë së thellë të pensionistëve shqiptarë. Përmes këtij bonusi vetëm një muaj në vit pensionistët shqiptarë do të kenë mundësi të marrin një pension që e kalon pragun e minimumit jetik. Për njëmbëdhjetë muajt e tjerë qeveria parashikon që pensionistët të vazhdojnë të rrojnë në zgrip të urisë ose të mbijetojnë prej solidaritetit familjar.

Kjo situatë revolton çdo pensionist dhe indinjon çdo qytetar të ndershëm të vendit tonë. Shqipëria e arritjeve imagjinare të qeverisë nuk ka lidhje me Shqipërinë e vërtetë të vuajtjeve dhe poshtërimit të përditshëm që ndjejnë shumica dërrmuese e pensionistëve shqiptarë. Vendi ynë mbetet i fundit në Ballkan e më gjerë për nivelin e pensioneve.

Shqipërinë tonë e kanë uzurpuar një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh të pangopshëm. Për oligarkët ka qindra milionë euro koncesione. Ka subvencione dhe ligje të posaçme. Ka favore fiskale dhe tolerim për mospagim taksash. Ka edhe shkelje syri për informalitetin në punë e paga. Ndërkohë që për pensionistët dhe shumicën dërrmuese të shoqërisë qeveria e korruptuar e një kryeministri edhe më të korruptuar ka vetëm një gjë: “Noc Rrokun”.

Në këto kushte është e domosdoshme që pensionistët të bashkohen sërish në protestë. Të ngrenë zërin me mijëra përpara mureve të pushtetit të shurdhër e grabitqar.

Lëvizja BASHKË dhe Pensionistët Bashkë ftojnë të gjithë pensionistët dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës sonë të mërkurën më 27 nëntor përpara kryeministrisë për të kërkuar pensione dinjitoze dhe vendosjen e minimumit jetik. BASHKË!”, shkruan Lëvizja BASHKË.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button