Aktualitet dhe Lajme

Një 19-vjeçar është arrestuar për kërcënimin me vrasje të Moratas dhe familjes së tij

Share

Policia spanjolle ka arrestuar një 19-vjeçar në qytetin e Malagas, i cili dyshohet për kërcënime serioze me vdekje ndaj sulmuesit të kombëtares spanjolle, Alvaro Morata (32), dhe familjes së tij.

Sipas Marca, kërcënimet u bënë në rrjetet sociale menjëherë pas finales së Ligës së Kombeve, ku Spanja u mposht nga Portugalia pas penalltive.

I riu kishte postuar komente kërcënuese drejtuar Moratës dhe fëmijëve të tij, pas humbjes së penalltisë nga ana e sulmuesit në serinë vendimtare. Në atë ndeshje dramatike, e cila përfundoi 2-2 në kohën e rregullt dhe shtesë, Portugalia triumfoi 5-3 me penallti, falë pritjes së Diogo Costas ndaj gjuajtjes së Moratës në setin e katërt.

Tentativa për të fshehur gjurmët

Dy ditë pas publikimit të komenteve, 19-vjeçari paraqiti një kallëzim në policinë e Malagas, duke pretenduar se llogaria e tij në rrjetet sociale ishte hakuar nga persona të panjohur.

Megjithatë, hetimet e Departamentit të Krimeve Kibernetike zbuluan mospërputhje në deklaratat e tij dhe provat e mbledhura konfirmuan se ai kishte sajuar këtë histori për të krijuar një alibi dhe për t’u distancuar nga ngjarja.

Morata: Ata nuk e dinë si është të jetosh me kërcënime

Pas incidentit, Alvaro Morata reagoi me trishtim dhe shqetësim për sulmet e vazhdueshme që ai dhe familja e tij kanë përjetuar në rrjetet sociale.

“E kuptoj që më kritikojnë që nuk shënoj gol, por dua që njerëzit ta vendosin veten në pozicionin tim. Ata nuk e kanë idenë se si është të marrësh kërcënime si unë dhe të lexosh: ‘Shpresoj që fëmijët e tu të vdesin’. Kur ndodh një tragjedi, ata thonë: ‘Ai ishte një fëmijë i mirë’. Ajo që më shqetëson më shumë është ajo që i thonë gruas sime, fëmijëve të mi”, deklaroi Morata për mediat spanjolle.

Autoritetet kanë konfirmuar se hetimet për incidentin janë ende në vijim, ndërsa lojtari dhe familja e tij po marrin mbështetjen e nevojshme psikologjike dhe ligjore.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button