Nga shtatori 2026 infrastruktura e transportit publik do menaxhohet nga shoqëria shtetërore “MobAl”

Nga shtatori 2026 për organizimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për funksionimin e transportit publik rrugor, përfshirë parkun e autobusave, pikat e karikimit të mjeteve elektrike, sistemin e biletave elektronike do të kujdeset shoqëria “MobAI” me kapital 100% shtetëror.
Me një vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave, është themeluar shoqëria aksionare me kapital 100% shtetëror “MobAl”, sh.a., me qëllim organizimin dhe operimin e shërbimit të transportit publik rrugor në Shqipëri.
Shoqëria e re do të operojë si një strukturë publike, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të përfaqësojë shtetin si aksionar i vetëm.
Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të transferohet nga buxheti i ministrisë, ndërsa “MobAl”, sh.a., pritet të ofrojë një sërë shërbimesh që përfshijnë:
a) operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike;
b) operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve, përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë;
c)organizimin dhe sigurimin e mirëmbajtjes së infrastrukturës së operimit, përfshirë parkun e autobusëve, stacionet, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike, sistemin e biletimit elektronik, serverat për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe çdo shërbim ose element tjetër të nevojshëm për funksionimin e shërbimit;
ç) arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike;
d) organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
dh) krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.
Sipas vendimit shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
Shoqëria do të financohet nga të ardhurat e veta, tarifat, shërbimet për sektorin publik dhe privat, si dhe nga grante apo subvencione.
Start News