Nga krimet në familje te atentatet mafioze, vrasjet që tronditën opinonin publik në vitin 2024
Viti që lamë pas, u trondit nga ngjarje të rënda që në fillim të janarit. Krimet në familje, atentatet mafioze, të pafajshmit që humbën jetën nga kriminelët, vrasje me dashje apo vrasje në rrethana cilësuese, disa prej tyre të zbardhura në kohë rekord e disa të tjera ende pa autor.
Më poshtë po listojmë krimet që tronditën vendin në 2024–ën
Vëllai vret vellanë – 4 janar në Tiranë
Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur mëngjesin e 4 janarit në Tiranë në zonën e Freskut. Vehap Cami, qëlloi për vdekje ndaj vëllait të tij Lulëzim Cami, dhe më pas vrau veten. Konflikti mes tyre nisi për shkak të një prone në fshatin e lindjes, në Tërbaç të Bulqizës. Viktima Lulëzim Cami, nuk pranonte të firmoste për shitjen e kësaj prone, ndërsa vëllai që i mori jetën me tek plumb insistonte për të kundërtën.
Ekzekutimi i Gëzim Sinomatit – 7 janar në Vlorë
23-vjeçari Gëzim Sinomati, u ekzekutua mbrëmjen e 7 janarit sapo ka dalë në ballkonin e banesës së tij në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë. Viktima ishte djali i Sokol Sinomatit, i njohur si ‘buzëderri’, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë, i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000.
Babai merr hakun e të bijës, ekzekuton 52-vjeçarin – 21 janar në Mat
63-vjeçari Islam Meta, ka ekzekutuar me armë zjarri 52 vjeçarin Petrit Kuka dhe pas vrasjes u vetëdorëzua. Vrasja ishte hakmarrje ndaj një ngjarjeje të vjetër të ndodhur 11 vite më pare, ku Petrit Kuka i kishte plagosur të bijën, pas një konflikti për motive të dobëta.
Atentat në një firmë inertesh – 10 shkurt në Kurbin
Selman Mihana, ekonomist në një firmë inertesh në Kurbin u vra aksidentalisht në ambientet e punës. 70-vjeçari kishte shkuar në punë si çdo ditë tjetër, por ra pre e plumbave brenda ambienteve të punës.
Sipas Policisë së Kurbinit, shënjestër e atentatit ishte pronari i firmës së inerteve, Ardjan Gjeloshi, i cili fatmirësisht shpëtoi me plagë të lehta.
Fëmijët vranë mizorisht dhe groposën babanë e tyre, Pellumb Meta –10 shkurt në Shënavlash
Më 10 shkurt 2024, në fshatin Shënavlash të Durrësit, 49-vjeçari Pëllumb Meta, u vra në banesën e tij dhe më pas u gropos në kasollen e bagëtive nga tre fëmijët e tij: Hyseni, Amarildo dhe Hygerta Meta.
Fillimisht, vajza Hygerta pranoi autorësinë e krimit, por hetimet e mëvonshme treguan se djali i madh, Hyseni, ishte qitësi kryesor, në bashkëpunim me të motrën.
Familjarët u dërguan në poligon qitjeje, ku u konstatua se të gjithë dinin të përdornin armën, duke përfshirë edhe vajzën Hygerta. Të tre fëmijët janë arrestuar dhe po hetohen për vrasjen e babait të tyre, ndërsa bashkëshortja e viktimës është proceduar në gjendje të lirë. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
46-vjeçari qëllon për vdekje fqinjin, shkak parkingu – 14 shkurt në Durrës
46-vjeçari Halil Koka, u vra me thikë në zemër nga fqinji i tij Ilir Koçilja në lagjen numër 4 të qytetit të Durrësit. Sherri mes tyre nisi në oborrin e pallatit e më pas u zhvendos disa metra më larg, në rrugë kryesore, përpara shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”.
Pas përplasjes fizike mes tyre, 46-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u ndoq nga agresori i cili e qëlloi dy here me thikë. Konflikti mes tyre kishte nisur disa ditë para vrasjes për një vend parkimi në rrugicën e lagjes.
Qëlloi 40-vjeçarin për pronën dhe më pas veten – 28 shkurt në Korçë
Mbrëmjen e 28 shkurtit në lagjen 18 në Korçë, Ilia Lluka, qëlloi për vdekje një 40-vjeçar dhe më pas vrau veten. Lluka ishte duke qëndruar në këmbë, teksa i afrohet shumë afër Emiljano Pines duke e qëlluar për vdekje. Sapo 40-vjeçari është shtrirë në tokë, Ilia ka drejtuar armën drejt vetes. Babai i autorit Ilia Lluka, bashkëjetonte me nënën e viktimës Emiljano Pine. Babai i autorit ka dashur që shtëpinë e tij t’ia linte trashëgim djalit të bashkëjetueses Emiljano Pine ç`ka e ka shtyrë këtë të fundit të kryejë krimin makabër.
Ekzekutimi i Gentjan Bejtjas – 15 mars në Larushk të Krujës
Ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja, 42 vjeç, u ekzekutua pasditen e 15 marsit në banesën e tij në Larushk të Krujës. Ngjarja ndodhi në oborrin e shtëpisë, ndërsa në vendin e krimit policia gjeti 28 gëzhoja automatiku. Gentjan Bejtja, ka qenë edhe më herët objektivi i sulmit me armë në korrik 2023, ku është sulmuar me armë automatike nga tre persona ende të paidentifikuar. Ndërkohë, në një tjetër atentat ndaj Bejtjas, mbeti i vdekur vëllai i gruas së tij Ramazan Sino.
Vrasja e 19-vjeçarit Aurelio Dervishi – 31 mars në Tiranë
I riu u vra me thikë mbrëmjen e 31 marsit 2023 tek rrethi i Shkozës. Katër të rinjtë u konfliktuan me 18-vjeçarin Aurelio Dervishi, teksa ky i fundit doli nga automjeti i tij. Në një moment gjatë zënkës 18-vjeçari u qëllua me thikë në gjoks, e duke mos arritur t’i mbijetonte dot plagëve të marra ndërroi jetë rrugës për në spital.
Dyshohet se shkak për nisjen e sherrit mes të rinjve është bërë një vajzë, e cila në momentet që ndodhi takimi mes dy grupeve, ndodhej në automjetin e viktimës.
Vritet çifti, Kosta dhe Kleoniqi Ilia – 2 maj në Dropull
Një ngjarje e rëndë u zbulua në fshatin Bodrishtë të Dropullit më 2 Maj. Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88-vjeç, u gjetën të pajetë në banesën e tyre. 3 ditë pas ngjarjes, policia deklaroi se sipas hetimeve personi që i ka vrarë është fqinji i tyre Thoma Mastora, i cili raportohet se kishte pasur konflikte të mëparshme me çiftin e ndjerë.
Vrasja e Indrit Hyllit – 11 maj në Shkodër
Një sherr banal, nën efektin e alkoolit, ka shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur në orët e para të 11 majit në fshatin Zus të qytetit të Shkodrës. Si pasojë humbi jetën shtetasi Indrit Hylli, 22-vjeç, ndërsa i plagosur mbeti Jetmir Molla, i cili mori një plumb në këmbë. Viktima dhe i plagosuri kanë qenë së bashku në lokal, ku mes tyre dhe autorit ka nisur një debat banal i çastit, që më pas ka gjeneruar në përdorimin e armës.
Vrasja e efektivit Novruz Cenalia – 13 maj në Fier
Më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz të Fierit, efektivi i Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, 28-vjeç, u vra me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:15, ndërsa Cenalia, i veshur me uniformën e policisë, po shkonte për të marrë shërbimin.
Gjatë një konflikti të çastit, ai u qëllua me plumb në kokë nga Azgan Mërnica, 23-vjeç, i cili më pas u largua nga vendngjarja. Më 15 maj 2024, pas dy ditësh në arrati, Azgan Mërnica u vetëdorëzua në Policinë e Fierit, pas negociatave me familjarët e tij. Ai deklaroi se konflikti me Cenalian, kishte ndodhur për shkak të një keqkuptimi gjatë kalimit në rrugë, duke menduar se efektivi e kishte ofenduar.
Vrasja e recepsionistit – 6 qershor në Dhërmi
Më 6 qershor Gerald Shehu, ekzekutoi recepsionistin Eraldo Nevruzi në hotel ‘Greccia’ në Dhërmi. Të dy, autori dhe viktima kanë qenë në brendësi të hotelit kur dyshohet se dhe janë konfliktuar. Gerald Shehu, ka nxjerrë armën dhe dyshohet se e ka goditur me një plumb në kokë. E gjithë ngjarja u filmua nga kamerat e sigurisë së hotelit.
Pas krimit, 43-vjeçari u largua me automjetin tip Audi A8 në drejtim të Greqisë me targa angleze, ndërsa trupin e viktimës mbështjellë me çarçaf e hodhi përgjatë itinerarit në drejtim të Greqisë. Gerald Shehu, autori i vrasjes së Eraldo Nevruzit, recepsionistit të hotelit Grecia në Dhërmi, ende nuk është ekstraduar.
43-vjecari Shehu ndodhet në Korfuz, ku po mbahet në ambientet e vuajtjes së dënimit, vend ky ku ka qëndruar pas arrestimit në Korfuz të Greqisë.
Tritoli ndaj motrave Nikolli që i mori jetë Enea Thomaraj – 14 korrik në Elbasan
29-vjeçari Enea Thomaraj, u plagos rëndë nga tritoli që u vendos në banesën e dy motrave Nikolli, më 14 korrik pasi Giovana Nikolli iu drejtua me një video Nuredin Dumanit. Banesa e Themollarit ishte ngjitur me banesën e motrave Nikolli në pallatin ku jetonin, ndërsa tritoli hodhi derën e banesës së të riut i cili ndenji rreth 3 muaj në koma. Më 4 tetor, Thomaraj ndërroi jetë nga plagët e marra.
Atentati i trefishtë – 20 korrik në Memaliaj
Më 20 korrik 2024, në Memaliaj ndodhi një atentat i trefishtë ku humbën jetën tre persona: Shyqyri Kalemi, Gledio Muka dhe Marsel Çela. Pas krimit, autorët u larguan me shpejtësi. Më vonë, policia gjeti një automjet të djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës, brenda të cilit u zbuluan tre armë zjarri kallashnikovë, që dyshohet se u përkisnin autorëve.
Sipas hetimeve paraprake, shënjestra kryesore ishte familja Kalemi, e njohur për përfshirje në konflikte të mëparshme. Andrea Kalemi, kishte shpëtuar nga disa atentate të mëparshme, si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Dy viktimat e tjera, Muka dhe Çela, konsiderohen si viktima të pafajshme, të cilët u gjendën në vendin dhe kohën e gabuar.
Krim i dyfishtë në familje – 6 gusht
69-vjeçari, Hysen Islamaj gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij Shano Islamaj. Pas kësaj i moshuari, është konfliktuar edhe me djalin e tij, Klemendin Islamaj. Ky i fundit e ka shtyrë të atin nga shkallët e banesës dhe si pasojë 69-vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Krim në azil – 8 gusht në Tiranë
Një krim i rëndë ka ndodhur në azilin privat të të moshuarve në kryeqytet, ku 78-vjeçar Zyhdi Shehi, ka goditur disa herë me bastun hekuri shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Mes dy të moshuarve debati ka qenë banal, teksa autori e ka akuzuar shokun “pse i kishte zënë krevatin”. Ndërkohë, autori ka thënë se e ka qëlluar me shkop hekuri shokun e tij të dhomës, pasi ai e bullizonte.
Vrasja e dyshimtë e Egli Progës – 10 gusht në Pogradec
Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja Egli Proga. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti fizik dhe verbal mes viktimës dhe Denis Meçes.
Djali vret babanë – 13 gusht në Shënavlash
Më 13 gusht 2024, në fshatin Shënavlash të Durrësit, u vra 62-vjeçari Enver Balla. Autori i dyshuar është djali i tij, Esmerald Balla, 30-vjeç, i cili pas një konflikti për motive ekonomike qëlloi të atin me armë zjarri. Pas krimit, me ndihmën e shokut të tij, Edison Brahaj, 25-vjeç, transportuan trupin dhe e hodhën në një pus pranë banesës. Konflikti mes babait dhe djalit, dyshohet të ketë lindur për shkak të zhdukjes së një shume prej 75,000 eurosh nga kasaforta e familjes. Të dy akuzonin njëri-tjetrin për humbjen e parave, ç`ka çoi në përshkallëzimin e debatit dhe përfundimisht në vrasje.
Vrasja e Frederik Radit – 18 gusht në Mirditë
Më 20 gusht 2024, në fshatin Lajthizë të Mirditës, u zbulua trupi i pajetë i 68-vjeçarit Frederik Radi, i cili ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri në banesën e tij. Vajza e viktimës, Leonora Radi, pasi kishte humbur kontaktet me të atin për dy ditë, udhëtoi drejt fshatit dhe e gjeti atë të vdekur në shtëpi. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, kryesisht banorë të fshatit, por ende nuk ka arritur të identifikojë autorin e krimit.
Mathew James Wertz vret gruan e tij, dy qentë e tyre dhe veten– 19 gusht në Tiranë
Shtetasi amerikan Matthew James Wertz, 55-vjeç, vrau gruan e tij, Indah Lilis Sartika Saragih, dhe dy qentë e tyre, përpara se të vetëvritej. Ngjarja ndodhi në banesën e tyre në rrugën ‘Vangjel Noti’ në Laprakë, Tiranë. Wertz, mësues në një shkollë private në Tiranë, la një letër për babanë e tij, ku kërkonte falje për veprimet e kryera.
Vrasja e Faik Ajdinit – 19 gusht në Memaliaj
Blerti Kanushi në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit.
Vrasja e dyfishtë – 19 gusht në Velipojë
Në plazhin e Velipojës, rreth orës 22:00, u qëlluan për vdekje Arsid Hoxha, 22-vjeç, dhe kunati i tij, Ersild Ishmi, 33-vjeç. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të mëparshëm mes viktimave dhe dy vëllezërve, Gëzim dhe Eduart Frroku, pronarë të një hoteli në zonë. Në qershor 2024, Ishmi kishte kanosur me armë një kuzhinier të hotelit të vëllezërve Frroku, ç`ka mund të ketë përshkallëzuar tensionet mes tyre. Pas ngjarjes, autorët e dyshuar, vëllezërit Frroku, u shpallën në kërkim nga policia. Forcat e rendit ndërmorën operacione për kapjen e tyre, por deri më tani ata nuk janë arrestuar.
Vrasja e Amarildo Hoxhallarit – 24 gusht në Tiranë
Pas një sherri me motive të dobëta, për shkak të ngacmimit të të dashurës së autorit të dyshuar, mbeti i vrarë me 4 goditje thike në trup, 34-vjeçari Amarildo Hoxhallari. Autori i dyshuar Darmend Keli, ka rrëfyer dhe këmbëngulur se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari, i ka bërë të fejuarës së tij që denigroi situatën dhe ka çuar deri në ngjarjen e rëndë.
Atentati ndaj Elis Rroshkodolit – 30 gusht në Shkodër
Atentati ndaj Elis Rroshkodolit, ndodhi më 30 gusht 2024. 36-vjeçari, një person me precedent të mëparshëm kriminal, u ekzekutua me breshëri plumbash teksa ishte ulur në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër. Pas hetimeve policia arrestoi Xhulio Malon, 26-vjeç pasi akuzohet se siguroi kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij të identifikuar, të dyshuar si vrasës me pagesë.
Vrasja e dy vëllezërve – 10 shtator në Roskovec
Një grindje që nisi midis fëmijëve, përfundoi me dy viktima në Kurjan të Roskovecit. Ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Kurjan të Roskovecit, ku dy vëllezërit, Gramoz dhe Vladimir Kurtaj, 52 dhe 46-vjeç, mbetën viktima. Autori i ngjarjes Ervis Kuka u vetëdorëzua, ndërsa fëmijët u ndaluan një ditë më pas (11 Shtator), pas kërkimeve të policisë dhe kontrolleve, në një banesë në fshatin Cukalat, ku dhe fshiheshin.
Masakra e Dobraçit me 4 viktima – 30 tetor
Më 30 tetor 2024, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ndodhi një atentat me armë zjarri që rezultoi në katër viktima: Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti Bashkim dhe Flutura Basha. Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ishin objektivat kryesorë të atentatit. Bashkim dhe Flutura Basha, një çift bashkëshortësh, u vranë si kalimtarë të rastit. Pas kryerjes së krimit, autorët braktisën dhe dogjën automjetin në fshatin Golem, rreth 5 kilometra larg vendit të ngjarjes. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, arrestoi katër efektivë policie të forcave “Shqiponja” për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se lejuan persona të paidentifikuar të qëndronin brenda perimetrit të sigurisë në vendngjarje.
Ekzekutimi i biznesmenit Eduart Reçi- 13 nëntor në Tiranë
Më 13 nëntor 2024, në Tiranë, u vra biznesmeni 52-vjeçar Eduart Reçi. Ngjarja ndodhi pranë rrugës “Faik Konica”, afër Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Reçi u qëllua me një plumb në kokë ndërsa ndodhej në ambientet e pallatit të tij, duke përdorur celularin. Policia e Tiranës zbardhi vrasjen ndërsa arrestoi dy vëllezërit, Shkëlqim Dukaj, 48-vjeç, oficer Policie dhe Florian Dukaj, 45-vjeç, të dy banues në Tiranë.
Burime nga grupi hetimor bëjne me dije se ka qenë pikërisht efektivi Shkëlqim Dukaj, 48-vjeç, i njohur si një qitës shumë i mirë mes uniformave blu. Vëllai i autorit të dyshuar Florjan Dukaj 45-vjeç, ka ndihmuar në ekzekutim që dyshohet për shkak të konflikteve për motive pronësie.
Ekzekutimi i Klaudio Prendit- 18 nëntor në Tiranë
Më 18 nëntor 2024, në zonën e Xhamllikut në Tiranë, u ekzekutua 28-vjeçari Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi. Prendi sapo kishte dalë nga një lokal dhe po i afrohej automjetit të tij tip “G Class” kur u qëllua me armë zjarri me silenciator. Autorët e sulmit, të cilët dyshohet se ishin tre, iu afruan dhe e qëlluan me plumba në kokë dhe gjoks, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Deri më tani, autorët e krimit nuk janë identifikuar apo arrestuar nga uniformat blu.
Vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij- 18 nëntor në Tiranë
Martin Cani, 14-vjeç, humbi jetën më datë 18 nëntor 2024 pak metra larg shkollës “Fan Noli”, ku studionte, gjatë sherrit me të dyshuarin M.P. Gjatë sherrit mbeti i plagosur edhe shoku i tij 14-vjeç, L.M i cili është larguar në Itali për mjekim të specializuar. Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për masën e sigurisë “arrest në burg” për 14 vjeçarin, të arrestuar si autor të dyshuar i vrasjes së Martin Canit.
33-vjeçari vret shokun – 2 dhjetor në Durrës
33-vjeçari Branko Shkoza, më 2 Dhjetor pas një përplasje fizike me shokun e tij Majlind Habibi është hedhur nga ky i fundit nga ura, ku si pasojë humbi dhe jetën.
Të dy të rinjtë, me njohje mes tyre, kanë qenë të dehur në momentin e konfliktit, kurse shkak dyshohet se është bërë ngacmimi i gruas së autorit nga viktima, por hetimet janë ende aktive për rastin. Pas ngjarjes, i dyshuari e ka fshehur krimin, duke mos treguar, derisa trupi u gjet pas tre ditësh kërkime. Pas arrestimit, i dyshuari ka shprehur pendesë dhe tha se nuk kishte për qëllim ta vriste.
Vritet Alfred Dedja – 1 dhjetor në Tiranë
50-vjeçari Alfred Dedja, u ekzekutua me armë pasditen e 1 dhjetorit brenda në një lokali në Ndroq në periferi të Tiranës. Autori i dyshuar sipas policisë është Julian Gjoshi, kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i kërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në Janar 2020 ku dhe viktima kishte punuar si menaxher. Vrasja ndodhi në orën 15:30. Autori ka qenë me mikun e tij ku është qëlluar disa herë me pistoletë, të cilën 27 vjeçari e ka pasur në xhepin e xhupit dhe nuk e ka nxjerrë për asnjë moment.
Gruaja vret burrin me sëpatë – 24 dhjetor në Sarandë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë ku 49-vjeçarja Elvira Tahiraj, ka vrarë burrin e saj me sopatë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Metoq në familjen Tahiraj. Mësohet se gruaja, Elivra, ka goditur burrin me sopatë në kokë, Llazar Tahiraj teksa 55-vjeçari ishte duke fjetur gjumë. Elvira Tahiraj 49-vjeç, ka pranuar krimin e rëndë, teksa dyshohet se ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Fqinji vret fqinjin – 30 dhjetor në Durrës
Një ngjarje e rëndë u shënua në Durrës, ku 39-vjeçari Fation Janina, ka qëlluar për vdekje me thikë dhe çekiç fqinjin e tij 82-vjeçarin Paulin Gina. 39-vjecari Fatjon Jani, ka pranuar autorësinë dhe ka deklaruar se viktima nuk pranoi ti jepte borxhin prej 200 mije lekësh.