Nga “detyrim paraqitjeje” në drejtimin e Portit të Sarandës, Aida Demi rikthehet si kapitene e korrupsionit

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama, shpall me bujë “reformën e pastrimit” të administratës nga zyrtarët e paaftë dhe të korruptuar, në terren ndodh e kundërta.
Në Portin e Sarandës emërohet Aida Demi, një emër i njohur jo për merita profesionale, por për përfshirje në afera të legalizimeve me dokumente të falsifikuara.
Ish-drejtoresha e Kadastrës dhe nën masë sigurie “detyrim paraqitje”, Aida Demi, shfaqet sot si “kapitenia” e re e portit, duke e kthyer reformën në një farsë ku patronazhistët dhe të përfolurit për korrupsion promovohen, jo ndëshkohen.
Pas një “aksioni pastrimi” të paralajmëruar me shumë bujë nga kryeministri Edi Rama ku drejtues të bashkive, drejtorë e zyrtarë dolën rresht për të dorëzuar çelësat e zyrave, qytetarët prisnin një frymë të re në administratë. Por çfarë morën në këmbim? Aida Demin.
Po e njëjta Aida Demi, që është përfshirë në një çështje penale për legalizimin e një objekti me dokumente të falsifikuara.
Ish-drejtoreshë e Kadastrës së Sarandës dhe më herët e Bashkisë, ajo u përball me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërkohë që kolegët e saj shkuan në “arrest shtëpie”.
Por as kjo nuk e pengoi të ngjitej sërish në post, këtë herë si drejtoreshë e Portit të Sarandës.
Ironikisht, një person që është hetuar për abuzim me tokën dhe ndërtime pa leje brenda në det, tani ka në dorë detin e Sarandës të cilën pritet ta gllabërojë.
Burime nga terreni flasin për një “rindërtim të administratës” që më shumë i ngjan një shpërblimi politik për militantët e bindur, sesa një reforme reale.
Aida Demi, e njohur si një nga patronazhistet më të zellshme të PS në Sarandë, duket se ka marrë shpërblimin e saj: një zyrë me pamje nga gjiri, tendera të majmë dhe shumë mundësi për… “të vënë rregull” në port.
E gjithë kjo, pa garë, pa transparencë, pa një minimum morali institucional.
A mund të gllabërohet më shumë se kaq?
Nëse para emërimit, Aida Demi, sipas akuzave, kishte ndërtuar pa leje dhe i kishte legalizuar vetë objektet e saj, tani ka akses në një ndër institucionet më fitimprurëse të Sarandës.
Një histori që e tejkalon edhe ironinë vetë: nga ndërtimet pa leje, në drejtimin e ngarkesave portuale.
Ndërsa qytetarët kërkojnë drejtësi, ndershmëri dhe meritokraci, skenari është i qartë, një pjesë shfaqjeje publike për kamerat, dhe prapa kuintave, emërime që ndjekin të njëjtin qark të mbyllur politik dhe klientelist.
Në vend të ndëshkimit të korrupsionit, kemi riorganizimin e tij në poste të reja.
Në Shqipëri, thonë se “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Me Aida Demin, duket se ujku ka veshur kostumin e drejtoreshës dhe ka marrë timonin e Portit./ InFront.org