
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “c”, e 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Të drejtën e trajtimit me ushqim, pa pagesë, e përfitojnë:
a) punonjësit e Policisë e Shtetit:
i. me normën e ushqimit “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e punës është 8 (tetë) orë;
ii. me normën e ushqimit “tri vakte”, kur punonjësi është i angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen e rendit, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, aktivitete të ndryshme apo tubime, kur kohëzgjatja e punës është më shumë së koha normale e punës prej 8 (tetë) orësh.
b) punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, në Akademinë e Sigurisë, që trajtohen me normën e ushqimit “tri vakte”;
c) studentët dhe kursantët, që kryejnë trajnim të detyrueshëm sipas programit mësimor në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit:
i. me normën e ushqimit “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e trajnimit është 1 (një) ditë pune, 8 (tetë) orë;
ii. me normën e ushqimit “tri vakte”, kur kohëzgjatja e trajnimit është më shumë së një ditë pune. Për ditën e parë të trajnimit, trajtimi me ushqim bëhet për vaktet “drekë” dhe “darkë”, ndërsa për ditën e fundit të trajnimit bëhet për vaktet “mëngjes” dhe “drekë”.
ç) edhe kategoritë e mëposhtme, që trajtohen me normën e ushqimit “tri vakte”, pa pagesë:
i. shtetasit e huaj, të cilët hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët u nënshtrohen procedurave verifikuese deri në sqarimin e pozitës së tyre;
ii. shtetasit shqiptarë të kthyer nga vendet e tjera, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
iii. shtetasit e ndaluar ose të arrestuar, të cilët u nënshtrohen procedurave verifikuese deri në sqarimin e pozitës së tyre, ose deri në transferimin e tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
2. Shërbimi i ushqimit realizohet me ushqim të gatuar në mensa, si dhe nëpërmjet shërbimit të gatimit e të shpërndarjes së ushqimit (catering), i cili u nënshtrohet të gjitha procedurave të prokurimit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Kur trajtimi me ushqim, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, nuk është i mundur të realizohet me ushqim të gatuar apo nëpërmjet shërbimit të shpërndarjes së ushqimit (catering), bëhet trajtimi financiar për ditët efektive të punës, sipas përcaktimeve të pikës 5 të këtij vendimi. Vlera e trajtimit financiar (në lekë) të ushqimit i transferohet punonjësit të policisë në llogarinë e tij bankare.
4. Normat e ushqimit ditore të k/kalorive për të gjitha kategoritë përfituese, sipas këtij vendimi, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Masa e kompensimit financiar për çdo normë të trajtimit me ushqim përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) Normë ditore “një vakt drekë”, në vlerën 500 (pesëqind) lekë;
b) Normë ditore “tri vakte”, në vlerën 900 (nëntëqind) lekë.
6. Vlerat e kompensimit në lekë të normave ditore të ushqimit, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij vendimi, indeksohen çdo vit, sipas inflacionit të publikuar nga INSTAT-i.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
8. Vendimi nr.189, datë 15.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe të shtetasve të ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare shtesë nga 1 janari 2026.
Start News