
Pas çdo ndryshimi të pronarit të mjetit do të kryhet kontroll teknik. Ndryshimet parashikohen në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që është publikuar në Fletoren Zyrtare, por që do të nisë zbatimin nga data 1 dhjetor 2026.
Sipas tij, pavarësisht nga data e kontrollit të fundit teknik të mjetit, autoriteti kompetent përkatës mund të kërkojë nga ai që t’i nënshtrohet një kontrolli teknik para frekuencës përkatëse kur ka ndryshuar titullari i certifikatës së regjistrimit të automjetit. Po ashtu, ky kontroll mund të kërkohet edhe në rastet kur mjeti ka kryer 160 000 km.
Paralelisht, udhëzimi përfshin edhe parashikime të reja, sa i takon shkëmbimit të informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tyre “autoriteti kompetent, nëse e zbatueshme, përdor platformën e Komisionit Evropian për shkëmbimin e informacionit me të dhëna mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximit të odometrit midis autoriteteve kompetente të shteteve anëtare të BE-së”.
Gjithashtu, inspektorët e qendrave të kontrollit, pronarët e mjeteve dhe studiues të aksidenteve, nëse e zbatueshme, mund të marrin informacion nga platforma të tjera elektronike të Komisionit Evropian, mbi historikun e aksidenteve të mjetit dhe informacione të tjera mbi aspektet e sigurisë së komponentëve të mjeteve, të cilat kanë qenë të përfshira në aksidente.
Udhëzimi parashikon edhe ndryshime të tjera, duke sjellë një riformatim të rëndësishëm të kategorizimit të mjeteve, duke synuar përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian./Scantv
Start News
