Ndeshja Shqipëri-Serbi, KMD apel qytetarëve: Shmangni gjuhën e urrejtjes

Në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror të futbollit “SHBA-2026”, institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi vëren një përfshirje të lartë sportive, antagoniste dhe emocionale të tifozerisë së organizuar.
Sipas një deklarate për mediet, KMD thotë se sporti duhet të shprehë vlera si ato të dinjitetit, gjithëpërfshirjes dhe respektit të cilat vlejnë për çdokënd.
“Në këtë kontekst, Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi apelon qytetarët në stadium të shmangnin shprehjet e papërshtatshme, parullat me gjuhë urrejtje dhe stereotipet etnike që mund të cenojnë dinjitetin e Njeriut”, thuhet në deklaratë.
Institucioni i KMD-së shprehet se “mbrojtja kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit etnik përbën një të drejtë të njeriut, e cila duhet të sigurohet dhe në fushën e sportit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi sëbashku autoritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), do të monitorojnë ndeshjen në Tiranë”.
Komisioneri i fton të gjithë të gëzojmë e të mos urrejmë!