Ndeshja e shumëpritur Shqipëri-Serbi, policia “blindon” kryeqytetin më 7 qershor, RENEA dhe anti-terrori në terren

Më 7 qershor, në “Arenën Kombëtare” në Tiranë do të zhvillohet ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për fazën kualifikuese të Kupës së Botës.
Kjo përballje nuk është si çdo tjetër, përtej rëndësisë sportive, ajo ka një peshë të veçantë për shqiptarët, ndaj edhe masat e sigurisë janë të mëdha.
Mbi 1500 forca policie do të angazhohen për garantimin e rendit, që nga mbërritja e dy përfaqësueseve, me vëmendje të veçantë për skuadrën serbe, deri në largimin e tyre nga territori shqiptar.
Në terren do të jenë të pranishëm edhe forcat speciale të anti-terrorizmit, si dhe mund të përfshihet RENEA në rast nevoje.
SHISH ka nisur prej kohësh monitorimin e rreziqeve të mundshme, ndërsa brenda stadiumit, përveç sigurisë së ofruar nga kompania private e kontraktuar nga FSHF, do të përdoren edhe kamera të teknologjisë së lartë për identifikimin me fytyrë të tifozëve që mund të shfaqin sjellje të pahijshme.