“Na besuan si asnjëherë më parë”, Edi Rama pa fjalë para shqiptarëve: Faleminderit juve këtu dhe atyre në diasporë, zgjodhët Shqipërinë e yjeve të Europës

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po mban fjalim e fitores së zgjedhjeve të 11 Majit në Sheshin Skënderbej, ku janë mbledhur qindra socialistë, pavarësisht se më herët ishte deklaruar se nuk do të kishte miting, por vetëm një fjalim.
Ai e ka nisur me një falenderim për të gjithë ata që i kanë besuar me votë si asnjëherë më parë Partisë Socialiste, një mandat të katërt, duke u rikthyer herë pas herë sepse siç tha, nuk kishte fjalë.
“Nuk ka fjalë të mjaftueshme për ti falenderuar dhjetëra e dhjetëra mija gra e burra, vajza e djem të familjes sonë të amdhe politike, që për katër vjet e shtruan me durim çdo territor të Shqipërisë. Faleminderit. Aq herë faleminderit, sa ç’janë anëtarë dhe anëtare të familjes sonë politike”, u shpreh ndër të tjera kryetari i PS.
Pjesë nga fjalimi i kryeministrit Edi Rama:
Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan, gjykuan dhe më 11 Maj ata vendosën të na besojnë ne, Partisë Socialiste, mandatin e katërt. Na besuan më shumë se asnjëherë më parë, për një sfidë më të madhe se asnjëherë më parë. Sepse në 4 vjet ne mbollëm më shumë besim për Shqipërinë, prandaj mblodhëm më shumë shpresë nga shqiptarët.
Këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarë do dhe di çfarë bën, me Shqipërinë që nuk di çfarë do e që shan e mallkon pa pushim. Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipëria më të mirë dhe një Shqipërie të përgojuar si një vend me tërë të zezat. Mes dritës së yjeve të Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet.