Misionet e pamundura të Kulturës
Ligji i ri për kulturën prej vitesh qëndron i bllokuar në parlament, reformat për kalimin nga kulturë me interes nacional në ato publik, të parealizuara, decentralizimi i institucioneve nacionale të kulturës dhe kalimi i tyre në kompetenca të pushtetit lokal po ashtu ka ngecur… Ndryshimet e shpeshta të ministrave që çojnë në mungesë të vazhdimësisë në zbatimin e politikave kulturore, apo edhe vetë kultura që nuk është prioritet në politikën e qeverisë, politikat e punësimeve partiake dhe mungesa e profesionistëve… nëpër institucione, shtojnë ngërçin e krijuar në vite
Evis HALILI
Ligji i ri i kulturës, decentralizimi i institucioneve, mbrojtja e trashëgimisë…, prej disa vitesh vazhdojnë të figurojnë si pjesë e strategjive dhe planeve të veprimit të Ministrisë së të realizuara pak ose aspak gjatë pesë viteve të fundit. Ligji i ri për kulturën prej vitesh qëndron i bllokuar në parlament, reformat për kalimin nga kulturë me interes nacional në ato publik, të parealizuara, decentralizimi i institucioneve nacionale të kulturës dhe kalimi i tyre në kompetenca të pushtetit lokal po ashtu ka ngecur…
Ndryshimet e shpeshta të ministrave që çojnë në mungesë të vazhdimësisë në zbatimin e politikave kulturore, apo edhe vetë kultura që nuk është prioritet në politikën e qeverisë, politikat e punësimeve partiake dhe mungesa e profesionistëve… nëpër institucione, shtojnë ngërçin e krijuar në vite. Vetë Ministria e Kulturës në dokumentin më të ri, Strategjia nacionale dhe plani aksional 2023-2027, që u miratua të mërkurën nga qeveria vëren se nga Strategjia 2018-2022 vetëm një pjesë e vogël e masave të planifikuara janë realizuar, ndërsa strategjia nuk është zbatuar aspak.
NJË KATËRVJEÇAR STRATEGJIK I MBETUR NË LETËR
Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës është dokumenti më i gjithëpërfshirës që shtreson analizat sipas aktiviteteve dhe sektorëve, duke u thelluar në problemet specifike. Sipas ligjit, ai është një dokument strategjik bazë, për zbatimin e politikave kulturore, si dhe për punën e Ministrisë së Kulturës dhe për subjektet e tjera që operojnë në fushën e kulturës. Sa i takon strategjisë së fundit sipas të cilës trasohej rruga ku duhej të ecte kultura 2018-2022 vetëm një segment i vogël i masave të planifikuara janë zbatuar dhe fatkeqësisht strategjia nuk është zbatuar. Për rrjedhojë në dokumentin më të ri Strategjia 2023-2027 përsëriten të njëjtat synime, pasi siç sqarohet në krye të herës nga hartuesit e saj “mund të përsëritet sepse është arritur një pjesë e parëndësishme e asaj që ishte planifikuar”.
“Gjendja aktuale e kulturës nuk bazohet në planifikim strategjik sistematik, edhe pse vetë Ministria është duke përgatitur një plan strategjik për një periudhë trevjeçare dhe dokumente të tjera. Për katër vitet e ardhshme janë identifikuar tre fusha prioritare – Kultura institucionale; Kultura joinstitucionale; Industritë kulturore dhe krijuese”, thuhet në dokument.
INSTITUCIONET ME PROGRAME KONSERVATORE, POPULISTE…
Gjithsej funksionojnë 66 institucione kombëtare. Përshtypja dominuese është se kultura institucionale në krahasim me të kaluarën është më e hapur, më konkurruese dhe synon të bëhet pjesëmarrëse aktive dhe e njohur në kulturën rajonale, evropiane dhe botërore. Megjithatë, vërehet në raport një pjesë e konsiderueshme e institucioneve kulturore, pra e institucioneve publike, dominohet nga një model organizativ tradicional, i cili është i strukturuar në mënyrë hierarkike dhe zbaton përgjithësisht politika programore konservatore.
“Institucionet nuk kanë staf adekuat profesional, të gatshëm për politika inovative, zhvillimore dhe punë ekipore. Shumica e institucioneve punojnë pa plane strategjike për funksionim dhe zhvillim afatgjatë, pa misione, vizione dhe qëllime themelore të përcaktuara saktë, ose ekzistojnë si dokumente por nuk zbatohen”. Më tej shtohet se nuk ka një sistem të integruar që do të lidhë bazat e të dhënave të Ministrisë së Kulturës me institucionet që janë pjesë e saj. Nuk ka asnjë hulumtim serioz mbi kapitalin kulturor apo zhvillimin kulturor. Ka një tendencë të uljes së kritereve në misionin krijues të artistëve në shoqëri, gjë që çon në një program të përshtatur me populizmin.
SEKTORI I PAVARUR NË RËNIE
“Një pjesë e nevojave mbetën të pakënaqura dhe pozita e sektorit të pavarur kulturor mbeti e paqëndrueshme, e rrezikuar dhe e pabarabartë në raport me sektorin institucional”, thuhet në dokument. Kjo i referohet edhe tre viteve të fundit (2020-2022), ku ka pasur një rënie të ndjeshme të fondeve për programet vjetore për shoqatat dhe përdoruesit e tjerë nga 10.4% në 6.1% të buxhetit total për kulturën.
Pavarësisht se Ministria e Kulturës zhvilloi një model të ri të vlerësimit të projekteve që do të mundësonte një procedurë profesionale, të pavarur dhe transparente me kritere fikse të pandryshueshme, ai nuk u zbatua. Po ashtu masat e tjera, të cilat përfshinin zhvillimin e modeleve për mbështetjen e vazhdueshme strategjike, financiare, strukturore dhe profesionale të sektorit të pavarur të kulturës, të cilat u propozuan gjithashtu si pjesë e reformave financiare dhe që duhet të përfshihen në “Propozimin e ri të Ligji për kulturën”, nuk janë zbatuar, megjithëse përbëjnë disa nga masat më domethënëse që do të mundësonin qëndrueshmërinë e sektorit të pavarur.
QYTETI I SHKUPIT DËSHTOI ME KULTURËN
Lidhur me Qytetin e Shkupit, Strategjisë së Kulturës së Qytetit të Shkupit 2021-2030, e cila është një strategji gjithëpërfshirëse dhjetëvjeçare,konstatohet se konstatohet se nuk është realizuar. Madje sipas vlerësimit të Ministrisë së Kulturës, ka zhvlerësim të vlerave dhe regres të mekanizmave, por si më problematike është llogaridhënia dhe transparenca. “Trajtimi i të gjithë sektorit të kulturës është selektiv dhe ka një zbërthim sistematik të udhëzimeve të ndërtuara dhe të përcaktuara nga më parë dhe me vetë strategjinë. Synimi i reformimit të financimit është i prapambetur, pra nuk ka transparencë në kriteret dhe vendimet, i mungojnë rezultatet nga konkurset e shpallura dhe vetë buxheti është ulur. Objektivat në lidhje me ngritjen e mbështetjes nëpërmjet një qendre kërkimore, mbështetjen e sektorit joinstitucional, krijimin e modeleve të reja të punës dhe bashkëpunimit, zhvillimin e projekteve ndërsektoriale dhe ndërkulturore janë pjesë e gjërave që ofron strategjia, por nuk kanë qenë. Plotësuar”, thuhet në dokumentin e miratuar nga qeveria.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Huazuar nga Koha.mk