Ndërsa dimri ka ardhur dhe zonat malore të qarkut Dibër përballen çdo vit me probleme serioze të qarkullimit për shkak të borës, të dhënat zyrtare të prokurimeve tregojnë një situatë të ndryshme nga një bashki në tjetrën për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve administrative.
Edhe në vitet e kaluara janë përsëritur situata të ngjashme, ku reshjet e dëborës i kanë gjetur bashkitë të papërgatitura në terren. Në mungesë të kontratave funksionale ose ndërhyrjeve të planifikuara, disa bashki janë detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të shërbimeve publike, por këto ndërhyrje kanë rezultuar të pamjaftueshme, për shkak të numrit të kufizuar të mjeteve dhe mungesës së personelit për drejtimin e tyre, duke lënë për orë apo ditë të tëra segmente rrugore të bllokuara.
Bulqizë: Tender i anuluar për pastrimin e borës
Bashkia Bulqizë kishte shpallur një procedurë prokurimi për “Mirëmbajtje të rrugëve administrative (ndërhyrje emergjente për pastrim bore)”, me fond limit 4.166.667 lekë pa TVSH dhe kohëzgjatje kontrate 4 muaj. Procedura, e hapur e thjeshtuar dhe e financuar nga granti, u shpall më 17 tetor 2025 dhe parashikonte zhvillimin e tenderit më 27 tetor 2025.
Sipas dokumentacionit zyrtar, tenderi është anuluar, pasi “në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”. Kjo do të thotë se, të paktën përmes kësaj procedure, Bulqiza hyn në sezonin dimëror pa një kontratë aktive për ndërhyrje emergjente në pastrimin e borës në rrugët administrative.
Dibër: Kontratë për mirëmbajtje rutinë dhe dimërore 2025–2026
Ndryshe nga Bulqiza, Bashkia Dibër ka përfunduar procedurën e prokurimit për “Mirëmbajtjen rutinë dhe dimërore të rrugëve në Njësitë Administrative në Bashkinë Dibër 2025–2026”. Procedura u zhvillua si procedurë e hapur e thjeshtuar, me fond limit 5.8 milionë lekë pa TVSH dhe afat zbatimi 4 muaj.
Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë, ku fitues u shpall subjekti “SELAMI” sh.p.k., me ofertë 4.984.440 lekë pa TVSH, si oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim. Nuk pati operatorë të skualifikuar.
Mat dhe Klos: Asnjë prokurim për mirëmbajtje dimërore
Për Bashkinë Mat dhe Bashkinë Klos, nga të dhënat e disponueshme nuk rezulton asnjë procedurë prokurimi e ngjashme për mirëmbajtjen rutinë apo dimërore të rrugëve për periudhën aktuale. Në Bashkitë Mat dhe Klos, situata gjatë dimrit përgjithësisht nuk paraqitet problematike, pasi këto zona nuk përballen çdo vit me reshje të mëdha dëbore apo bllokime serioze të rrugëve. Për këtë arsye, bashkitë kanë zgjedhur që mirëmbajtjen dimërore ta administrojnë kryesisht me mjetet dhe kapacitetet e tyre, pa hapur procedura tenderuese të posaçme. Kjo qasje lidhet edhe me terrenin dhe shtrirjen më të kufizuar të njësive administrative ku shfaqen probleme dimërore, duke e bërë të menaxhueshme ndërhyrjen përmes shërbimeve publike vendore.
