Ministria e Arsimit nis përgatitjet për Maturën Shtetërore 2026

Share

Komiteti i Organizimit të Maturës Shtetërore (KOMSH), ka nisur zyrtarisht punën përgatitore për Maturën Shtetërore 2026.

Sipas një njoftimi nga zyra e shtypit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, u zhvillua një takim ditën e hënë, 27 tetor, midis ministres Mirela Kumbaro dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse. Nga ky takim, u arrit përcaktimi i pikave kryesore të planit të punës me qëllim garantimin e një procesi të drejtë, të qetë dhe transparent për çdo maturant.

Kumbaro u shpreh se do të ketë forcim të masave ndaj çdo shkeljeje, si nga ana e maturantëve që nuk respektojnë rregullat, ashtu edhe nga administratorët dhe përgjegjësit e provimeve, në mënyrë që të sigurohet integriteti dhe besueshmëria e procesit.

Po kështu, ministrja njoftoi se do të zhvillohet dhe një fushatë informuese dhe sensibilizuese në çdo shkollë të vendit, në mënyrë që nxënësit, prindërit dhe mësuesit të njihen me afatet dhe procedurat e Maturës Shtetërore 2026

“Me përgjegjësinë që KOMSH ka për ta bërë këtë proces të qartë dhe dinjitoz për secilin maturant shqiptar, do të zhvillohet edhe një fushatë komunikimi dhe sensibilizimi shkollë më shkollë, për të informuar nxënësit, mësuesit dhe prindërit mbi të gjitha rregullat dhe afatet e Maturës Shtetërore 2026”, u shpreh Kumbaro.

Po kështu, përmes një postimi në rrjete sociale, Kumbaro ka ndarë foto nga takimi i zhvilluar sot, teksa ndau dhe detajet e takimit.

Procesi i Maturës Shtetërore 2026 do të vijojë në javët në vijim me takime teknike, përditësim të udhëzimeve dhe harmonizim të procedurave në të gjitha qarqet e vendit.


Start News

Reklama
Back to top button