
Me rastin e Ditës së Verës, Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose, zhvilluan një vizitë në Instituti i të Miturve Kavajë, ku u organizua një aktivitet festiv nga vetë të miturit e institucionit.
Fëmijët, së bashku me drejtoreshën e institutit Marinela Aliaj dhe mësuesit, kishin përgatitur një festë të veçantë me ushqime të gatuara nga vetë ata, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Gjatë vizitës, ministri dhe drejtori i përgjithshëm vunë theksin tek rëndësia e rehabilitimit dhe arsimimit të të miturve, duke theksuar se qëllimi kryesor është që ata të kenë një mundësi reale për një fillim të ri dhe një të ardhme më të mirë jashtë mureve të institucionit.
Për bibliotekën e institutit, ministri dhuroi romanin Të Mjerët të Victor Hugo, që rrëfen historinë e Jean Valjean, një njeri që gaboi dhe u damkos nga shoqëria, por që falë besimit dhe mundësisë për një fillim të ri arriti të ndryshojë rrjedhën e jetës së tij. Mesazhi i kësaj historie është se një shans i dytë mund të ndryshojë gjithçka.
Në fund të aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, mbolli një ulli në ambientet e institucionit si simbol i paqes, shpresës dhe një fillimi të ri për të miturit.
Start News
