Ministeriali i Evropës Juglindore/ Këto janë rrugët që do të bllokohen në Tiranë ditën e hënë

Disa rrugë në Tiranë do të bllokohen ditën e hënë për shkak të Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar.
Policia e Tiranës ka bërë publike edhe segmentet rrugore ku do të bllokohen qarkullimi apo do të ketë kufizime të përkohshme.
Në ardhje të delegacioneve, do të bllokohet aksi Aeroporti i Rinasit– Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Unaza e Re – Rrethrrotullimi i Saukut – Rruga e Elbasanit– Rruga “George W Bush” – Rruga “Urani Pano”-Rruga “Dervish Hima”.
Në largim të delegacioneve, do të bllokohen Rruga “George W Bush” – Rruga e Elbasanit– Rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re – Sheshi “Shqiponja” – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit – Aeroporti i Rinasit.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e DIbrës.
Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit.
SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.