Mësuesja që i mbijetoi aksidentit tragjik në Gramsh: Bëj 3 orë rrugë për të shkuar në punë

Share

Albana Boja është mësuesja 39-vjeçare, e cila i mbijetoi aksidentit të rëndë në Gramsh, teksa kthehej nga puna. Pa e marrë ende veten nga trauma e rëndë, ajo ka thënë se përkushtimi i saj për nxënësit do të vijojë njëlloj.

“Kjo është një nga ditët më të tmerrshme dhe të vështira të jetës sime, por kjo nuk do të thotë që unë do ta ndal misionin dhe profesionin tim. Do të vazhdoj të jap dije për nxënësit. Do t’i përkushtohem edhe më shumë dhe do të jem më e fortë se kurrë”, u shpreh Albana Boja.

Por pse një vajzë e re, që në fillim të karrierës së saj, zgjodhi të punojë në fshatrat më të largëta të Gramshit, ku çdo ditë duhet të udhëtojë më shumë se 3 orë?

“Përveç pasionit dhe dëshirës së madhe që kam për të vazhduar këtë mision dhe për të përcjellë dijen, kam parë se edhe atje ka shumë fëmijë që kanë nevojë për arsim. Kur më shohin, duket sikur shohin një rreze dielli. Kjo, sepse fshatrat janë shumë të largëta dhe të thella dhe ata janë të lumtur që ne nuk dorëzohemi përballë sakrificave që bëjmë”, u shpreh ajo.

Aksidenti i tmerrshëm ndodhi më 26 janar. Makina fluturoi rreth 100 metra në humnerë dhe emri i mësueses u rreshtua mes viktimave. Këtë 7 mars, nxënësit udhëtuan nga Poroçani i largët për të surprizuar Albanën në shtëpinë e saj, që mësueses së tyre të mos i mungojnë lulet e festës.


Start News

Reklama
Back to top button