Aktualitet dhe Lajme

“Mësues për Shqipërinë”, Rama: Aplikimet përmes e-Albania në datat 2-16 qershor

Share

Aplikimet në platformën “Mësues për Shqipërinë” 2025 do të hapen në datën 2 qershor, ndërkohë që të gjithë të interesuarit për t’u përfshirë në sistemin arsimor kanë afat të aplikojnë përmes e-Albania deri në datën 16 qershor.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për “kandidatët që kanë dhënë provimin e licencës në maj 2025, ose janë në proces licencimi, afati i aplikimit do të jetë  nga data 13-23 qershor 2025”.

Sipas kritereve të publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit kandidati i interesuar aplikon në DRAP-in ku ka vendbanimin e përhershëm dhe ka të drejtë të përzgjedhë deri në 3 ZVAP ku dëshiron të punësohet.

Po ashtu, kandidati që zotëron më shumë se një licencë, ka të drejtë të konkurrojë në profilet sipas licencave përkatëse, duke bërë aplikim më vete për secilën licencë.

Ndërkohë për ata që dëshirojnë të punojnë si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, krahas aplikimit për profilin përkatës, duhet të zgjedhin edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”.

Portali “Mësues për Shqipërinë” u krijon po ashtu mundësinë kandidatëve që kanë dhënë provimin e licencës dhe kanë rezultuar të suksesshëm të përzgjedhin nëse duan të ruajnë pikët e testimit apo kërkojnë të ritestohen për këtë portal.

Në fazën e parë do të bëhet vlerësimi i dosjeve të aplikimit për plotësimin e kritereve ligjore. Kandidatët kanë të drejtë të bëjnë ankimimin për vlerësimin me pikë dhe verifikimin e dosjeve për kualifikim, ndërkohë që në vijim Komisioni i Vlerësimit të Dosjeve shqyrton ankesat dhe konfirmon kandidatët e kualifikuar, të cilët futen në testim apo mbartin pikët e portalit 2024.

Faza e dytë përfshin testimin e informatizuar, ndërkohë që Qendra e Shërbimeve Arsimore duhet të nxjerrë rezultatet e testit të informatizuar brenda datës 31 gusht 2025.  Lista përfundimtare e kandidatëve së bashku me renditjen e tyre është gati brenda datës 2 shtator 2025.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button