Merz: Gati të dërgojmë trupa në kufijtë e NATO-s pranë Ukrainës, jo brenda saj

Share

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca njoftuan plane ambicioze për prani ushtarake brenda territorit ukrainas pas armëpushimit, Gjermania ka zgjedhur një linjë më të kujdesshme, por gjithsesi angazhuese.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi nga Pallati Élysée në Paris se Berlini është i gatshëm të kontribuojë me trupa, por me një ndryshim thelbësor gjeografik: dislokimi i mundshëm parashikohet në një vend anëtar të NATO-s në kufi me Ukrainën, dhe jo drejtpërdrejt në terrenin ukrainas.

Gjatë konferencës për shtyp, Merz theksoi se Gjermania po shqyrton “gatishmërinë e mundshme” për të forcuar krahun lindor të Aleancës, duke shërbyer si mburojë dhe mbështetje logjistike nga vija kufitare.

“Në emër të qeverisë federale dhe timin, dua të them se nuk po përjashtojmë asgjë,” theksoi Merz, duke lënë të hapur mundësinë për evoluimin e këtij qëndrimi në varësi të kushteve të sigurisë.

Pengesa parlamentare

Ndryshe nga homologët e tij britanikë apo francezë që kanë kompetenca më të gjerë ekzekutive në çështjet ushtarake, Merz kujtoi kufizimet kushtetuese të Gjermanisë. Ai saktësoi se çdo dërgim trupash jashtë vendit kërkon miratimin e ligjvënësve.

“Lloji dhe fushëveprimi i kontributit gjerman duhet dhe do të vendoset nga qeveria dhe parlamenti federal gjerman (Bundestagu), sapo të sqarohen kushtet,” sqaroi Kancelari.


starnews.al

Reklama
Back to top button