Mega-operacioni/ U lëshuan 52 urdhër-arreste, Dumani: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka dhënë detaje nga operacioni i përbashkët me autoritetet italiane ku u lëshuan 52 urdhër arreste në të dy shtetet.
Drejtuesi i SPAK deklaroi se u godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri. Altin Dumani, në konferencën për mediat u shpreh se ka dyshime të forta se ky grup kriminal ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave.
“Është arritur ti jepet një goditje e fuqishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri për të cilën ka dyshime të forta se ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave. Ky operacion i mbështetur nga hetimet e thelluara dhe shkëmbim efektiv informacioni ndërinstitucional është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë, profesionalizëm dhe besim. Shpreh mirënjohjen për prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, policinë e shtetit dhe partnerët italianë që sot ndodhen mes nesh dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Falenderim për Eurojust dhe Europol për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve të kryera”, u shpreh Dumani.
Operacioni “Ura” parashikon ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe në Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa miliona eurosh, si dhe urdhra për arrest me burg, të lëshuara nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndaj 52 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Sipas mediave italiane, në listën e urdhër-arresteve ka edhe punonjës policie, avokatë dhe emra të njohur të botës së krimit, të dyshuar për përfshirje në rrjetin e trafikut dhe për shpërdorim detyre.