Me skedë të pastër dhe baba i dy fëmijëve/ Kush ishte muratori 37-vjeçari shqiptar, i cili u vra mbrëmë në Itali
Viktima e atentatit vdekjeprurës mbrëmjen e djeshme (6 tetor) në Piza, është shqiptari Beni Arshiaj. Nga hetimet e deritanishme rezulton se 37-vjeçari ishte një emigrant pa precedentë penalë dhe me skedë të pastër, teksa punonte si murator dhe lëvizte me furgonin e tij të bardhë për punë.
Arshiaj ishte baba i dy fëmijëve dhe njihej si një banor i rregullt në zonë dhe jo problematik. Policia tha se po heton të gjitha pistat, teksa ka mbledhur dëshmitë.
Beni Arshiaj, ishte i martuar me dy fëmijë të vegjël, njëri prej të cilëve dyshohet se ishte dëshmitar i të shtënave, të cilat ndodhën pikërisht kur babai sapo ishte kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar furgonin, shkruan “IlMessaggero”.
Madje kur mbërriti policia e zonës, mjeti ishte ende i ndezur, sepse trupi i tij u gjet pothuajse brenda, teksa ishte duke hapur derën për të zbritur.
Autorët lëviznin me një skuter dhe u larguan me shpejtësi, teksa besohet se e kanë ndjekur apo pritur në kurth objektivin.