Me kamera kundër shkeljes së ligjit

Share

Me vendosjen e kamerave do të zvogëlohen shkeljet si kalimi në të kuqe, vozitja mbi shpejtësinë e lejuar, e kështu me radhë që do të kapen nga kamerat, ndërsa shkelësit do të paguajnë. Edhe dy veturat policore me kamera do të incizojnë shkeljet e ligjit

 

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 29 dhjetor- Sistemi i kamerave dhe gjobave në adresën e shtëpisë që ishte shpallur më shumë se një 11 vite më parë, në vitin e ardhshëm do të vendoset në funksion. Në të kaluarën u shpallën tenderë dhe u vendosën kamera, por nuk funksionoi kurrë ashtu siç ishte premtuar – gjurmimi dhe gjobitja automatikisht të kujtdo që bën gabime në trafik. Sistemi i kamerave është shpallur më shumë se një dekadë më parë, ndërsa kamerat janë blerë dhe instaluar në kohën e kryeministrit Nikolla Gruevski. Premtimi i parealizuar mbeti se çdo shkelje do të fotografohej bashkë me targën dhe gjoba do të dërgohej në adresën e shtëpisë së pronarit të mjetit.

Advertisements

Kamerat që janë vendosur tashmë në vend janë vetëm në funksion të sigurisë në shtet.

Tani në fund të vitit 2023, po paralajmërohet se kontrolli i trafikut në Maqedoninë e Veriut do të rritet me futjen e teknologjisë së re. Si rrjedhojë do të ketë edhe një siguri më të madhe në trafik.

Ministria e Brendshme pranoi kohët e fundit, dy automjete përgjuese me të cilat do të kontrollojë qarkullimin e automjeteve. Pritet që në të ardhmen, kalimi i veturës në semafor të kuq, drejtimi me shpejtësi më të madhe se sa lejohet, parakalimet e paligjshme dhe shkeljet e tjera nuk do të mund të kalojnë pa u vënë re dhe autorët nuk do të mund të shmangin gjobat. Çdo shkelje do të regjistrohet, pamjet video do të ruhen dhe mund të përdoren si provë në gjykatë në çdo kohë.

Bëhet fjalë për dy mjete të pajisura me sistemin PolCam, një pajisje e brendshme e krijuar për të kontrolluar dhe monitoruar trafikun dhe shkeljet e mjeteve në lëvizje. Ata do të “gjuajnë” dhe do dokumentojnë shkeljet e shumta të trafikut rrugor. “Pajisja mundëson video incizim prej 25 fotosh në sekondë, një hartë që tregon vendndodhjen ku është realizuar videoja, si dhe ka mundësi për gjetjen dhe njohjen automatike të targave që kanë bërë shkelje”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Video të regjistruara ruhen në një hard disk që vendoset në pjesën e pasme të automjeteve dhe më vonë mund të përdoren si dëshmi e besueshme e shkeljes së kryer në komunikacion pranë institucioneve kompetente. Përveç dokumentimit të shkeljeve të trafikut, kjo pajisje mund të zbulojë dhe njohë automatikisht targat e regjistrimit, të cilat janë regjistruar më parë për një shkelje të kryer në trafik.

Përskaj kësaj mase, do të zgjerohet edhe sistemi për vendosjen e kamerave në gati të gjitha qytetet në vend, që do të regjistrojnë dhe incizojnë të gjitha shkeljet e ligjit në trafik.

Kjo shtrëngon rrethin rreth drejtuesve të pandërgjegjshëm të automjeteve , të cilët shpesh herë dinë të ikin nga vendi i aksidentit dhe të shmangin dënimin. Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski gjatë vizitës së fundit në Shtip tha se projekti po mendohet të zgjerohet dhe përmirësohet. “Për momentin i kemi vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë dhe është në rrjedhë e sipër procesi i përmirësimit të gjithë këtij sistemi. Përmirësimi do të përfshijë autostradat në të gjithë shtetin dhe këto tre qytete dhe këtu do të përfshihet edhe përcaktimi elektronik i shkeljeve të qarkullimit rrugor. Ideja është që të zgjerohet mbi të gjitha në qytetet e mëdha ku kemi frekuencë më të lartë të njerëzve”, thekson Spasovski.

Pritet që me vendosjen e kamerave të sanksionohen shumë më shumë,por edhe të zvogëlohen shkeljet si kalimi në të kuqe, vozitja mbi shpejtësinë e lejuar, shfrytëzimi i celularit gjatë vozitjes, e kështu me radhë që do të kapen nga kamerat, ndërsa shkelësit do të paguajnë ku fatura do tu arrijë në adresën e banimit. Për momentin do të ketë kamera që do të regjistrojnë shkeljet në komunikacion vetëm në disa qytete , si dhe në autostrada.

Në Shqipëri që dy vite më parë, Policia rrugore ka nxjerrë në patrullim makinën inteligjente e cila dokumenton me foto dhe video shkeljet e qarkullimit rrugor.  Kjo pajisje është në fakt teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore, pajisje që kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në 4-6 korsitë. Është një pajisje që punon në mënyrë të pavarur, ditën dhe natën, që nuk ka asnjë ndikim njerëzor apo subjektiv të gjykimit të shkeljes. Policia në Shqipëri po përdor 11 makinat inteligjente, të pajisura me radarë dhe lexues automatikë, radarët automatikë, kamerat, aparatet fotografike, dronët, dronët “edukues” dhe patrullat në lëvizje me mjete të paloguara, të cilat po monitorojnë qarkullimin rrugor, në të gjitha rrugët e vendit.

Kamera të ngjashme në trafik funksionojnë edhe në shtetet e tjera fqinje si Kosovë, Kroaci, Serbi, Greqi, Bosnje e Hercegovinë etj. (koha.mk)


Huazuar nga Koha.mk

Reklama
Back to top button