Mbyllja e TikTok, tani që dështoi rruga e shkurtër, nis rrugën e gjatë

Kryeministri Edi Rama pranoi atë që e di çdokush që ka informacion jo shumë të lartë mbi teknologjinë, e dinte që nga dhjetori i kaluar, kur ai shpalli dëshirën për të mbyllur TikTok-un. Ai pranoi, pa e shprehur me fjalë, se vetëm shtete shumë të fuqishme, si Kina apo diktatura të tjera janë në gjendje të kontrollojnë aksesin e shtetasve në internet dhe se ai është i vetëdijshëm se një program që quhet VPN (akronim i Virtual Private Network), ndihmon qytetarët që të shmangin censura të tilla. Kushdo që di historinë e Turqisë, një vend gjysmëdiktatorial që mbylli aksesin në You Tube në vitin 2008, e di gjithashtu që një masë e tillë është shpallur sakaq “jodisproporcionale” dhe në shkelje të të drejtave themelore të njeriut nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Rama gjithsesi, pretendoi, pa dhënë fakte, se përdorimi i VPN-së “është i rrezikshëm” dhe se, sipas tij, “hakerat bëjnë namin”. Kjo është dukshëm një gjë krejtësisht e pavërtetë sepse VPN-të, të cilat mund të shkarkohen në celularë, kontrollohen për efekt sigurie nga kompanitë që ofrojnë shërbimin e ndërmjetësit, të tilla si ‘Apple Store’.
Ajo që ka ndodhur në Shqipëri me “mbylljen” e TikTok është shumë e thjeshtë. Një urdhër, i cili, sipas gjasave, është i paligjshëm, ka dalë nga një zyrë shteti dhe ka vajtur te kompanitë që ofrojnë shërbimin e aksesit në internet, të quajtura ISP.
Urdhri i kërkon këtyre kompanive të vendosin në regjistrimin e ndalimeve adresat e përdorura nga Tik Tok. Kompanitë kryesore, si Vodafone dhe One, e kanë zbatuar këtë urdhër. ISP të tjera dukshëm nuk e kanë marrë mundimin për ta zbatuar, ma ha mendja jo për shkak të ndonjë ndjenje rebelimi por për shkak se një shtet karrakatinë si ky i joni, të cilit i dalin të dhënat e qytetarëve sheshit në mënyrë të përsëritur, nuk merret seriozisht.
Dhe fakti që, muaj pasi urdhri është dhënë, mekanizmat e kontrollit mbi zbatimin e këtij urdhri duket se janë inekzistente (me gjasa, punonjësit shtetërorë që duhet të merren me punë të tilla janë ndërkohë të zënë duke bërë patronazhistin për partinë në pushtet), tregon se nuk është teknikisht e pamundur që të mbyllet aksesi në një faqe të caktuar, por kjo kërkon administratë publike profesionale, dhe mbi të gjitha, kërkon ligje, të cilat, në rastin konkret, thjeshtë mungojnë.
Pavarësisht kësaj, të gjitha problemet e lidhura, jo ngushtësisht me TikTok, por në thelb me mbrojtjen e të dhënave personale në botën e internetit – jo vetëm nga platformat online apo faqet e internetit por edhe nga korporatat, të tilla si bankat, apo, nga partitë politike, të tilla si Partia Socialiste, mbeten njësoj shqetësuese si më parë.
Për shembull, nëse qëllon që vizitoni një faqe interneti ndërsa jeni duke udhëtuar jashtë Shqipërisë, ose jeni duke përdorur VPN, një njoftim do t’ju shfaqet me shpjegime të detajuara mbi të dhënat personale që kjo faqe mbledh, dhe me një opsion për të zgjedhur nëse dëshiron ta lejosh atë faqe të grumbullojë këto të dhëna apo jo.
Fakti është që, ndryshe nga rasti i Tik Tokut, për të cilin qeveria nuk ka të drejtë, në rastin e tregut të bixhozit, ka të gjitha të drejtat dhe detyrat që të bllokojë dhe kontrollojë sepse njerëzimi ka dalë në konkluzionin prej shekujsh që ky të jetë një aktivitet i kontrolluar.
Dhe ajo që qeveria shqiptare ka bërë me të drejtë, por në mënyrë krejt të paefektshme, është që të urdhërojë ISP-të të mbyllin aksesin në qindra faqe online që ofrojnë baste sportive apo kazino. Mbyllja është e paefektshme për shkak se njerëzit mund të përdorin VPN, një shërbim, që edhe nëse nuk është falas, kushton 10 apo 20 euro në vit.
Ajo që qeveria duhet të bëjë, për të zbatuar në mënyrë efikase ligjin përkatës për kontrollin e bixhozit është, jo të bllokojë IP-të, por të urdhërojë bankat të mos lejojnë pagesa me kartë në drejtim të këtyre faqeve. Sepse bllokimi i IP-ve nuk funksionon ndërsa bllokimi i pagesave, po.
Këto janë vetëm maja e ajsbergut të problemeve të krijuara nga aftësia e kompjuterit për të ruajtur të dhënat tona personale, me potencialin për t’i përdorur këto të dhëna në dëm tonin, nga shantazhi emocional te përndjekja apo, në mënyrë kyçe, te përdorimi i këtyre të dhënave për frikësimin e votuesve përmes krijimit të frikës, (dhe frika mjafton për t’i bërë zgjedhjet të pavlefshme), se patronazhisti yt e di se ku ti punon, sa e ke rrogën, ku punojnë të afërmit e tu, a ke ndonjë biznes të vogël të shantazhueshëm nga taksidarët, a ke ndonjë ndërtim pa leje të shantazhueshëm nga patronazhisti tjetër i zyrës përkatëse, etj.
Pa folur pastaj për potencialin e keqpërdorimit të të dhënave personale nga kompanitë celulare, të cilat, kur u teket, të përndjekin me telefonata pa fund për të të ofruar shërbime që ty nuk të duhen, madje çuditen shumë fort kur përpiqesh t’i shpjegosh, me të mirë a me të keq, se detyrimi i tyre ligjor është që të mbajnë një regjistër përjashtimi, në të cilin duhet të vendosen numrat e qytetarëve të cilët i thonë, “mos më merr më në telefon”, dhe që ata nuk duhet ta marrin më në telefon.
Apo bankat, të cilat, përmes të dhënave të përdorimit të kartave bankare janë në gjendje të depërtojnë deri te mëlçia e klientit, duke e ditur se sa alkool pi, se sa yndyrë konsumon, se çfarë ilaçesh merr dhe rrjedhimisht, t’i vendosë një prim rreziku sa herë që klienti shfaqet në nevojë për të marrë kredi.
Këto janë shqetësime serioze dhe kërkojnë trajtim serioz. Mbyllja, bllokimi e të tjera si këto nuk janë zgjidhje dhe nuk mund të bëhen kurrë zgjidhje. Helbete, mund të na pëlqejë ta mbyllin qeverinë, por nuk e bëjmë dot. Kështu që, në vend të kësaj, na duhet që ta rregullojmë, atë dhe ato segmente të sektorit privat që bota pranon se janë të tilla që duhet të rregullohen nga autoriteti publik, si shërbimet financiare, bixhozi apo tregu ushqimor, ndërsa nuk duhet të rregullojmë, e aq më pak, të bllokojmë, fjalën e lirë, pavarësisht nëse kjo fjalë e lirë shfaqet në formën e banaliteteve të TikTok-ut apo në teori filozofike kontroverse.
Këto natyrisht që kërkojnë administratë civile profesionale, procese kushtetuese të ligjvënies apo ndryshimit të ligjeve dhe respekt për të drejtat themelore të njeriut, qofshin këto të drejtat e një vajze për të nxjerrë prapanicat në TikTok./BIRN