
Blutë njoftojnë se Ermal Binjaku, është ndaluar pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., 21-vjeç në një apartament në Astir.
Ndërkohë, vijon ende puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
“Kapet dhe ndalohet një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 09.01.2025, në Astir.
Si rezultat i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Ermal Binjaku, 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në një apartament në Astir.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Kujtojmë se gjashtë të rinj, 3 vajza dhe 3 djem ndodheshin prej dy ditësh në dy apartamente në katin e 8 të pallatit ku i kishin marrë me qira airbnb ngjitur me njëri-tjetrin.
Apartamentet ishin marrë me qira nga një djalë me të cilin ishte në një lidhje 21-vjeçarja S. Q. Të rinjtë e kanë kaluar natën e së mërkurës deri në mesditën e së enjtes te të dy apartamentet, ku dyshohet se kanë konsumuar edhe lëndë narkotike.
Mesditën e së enjtes, 5 të rinjtë e tjerë kanë zbritur poshtë pallatit për të konsumuar kafe, ndërsa vajzën me iniciale S.Q. e kanë lënë në dhomë në gjumë.
Kur ajo është zgjuar nga gjumi e reja ka parë dy armët e zjarrit pistoleta dhe jelekun antiplumb dhe më pas ka filluar të shfaqë paranoja duke bërtitur e frikësuar, ulërima që janë dëgjuar edhe nga banorët në pallat.
Më pas ajo ka telefonuar familjen e saj, nënën, duke i thënë se ndjehet e rrezikuar dhe e frikësuar dhe se gjatë gjithë natës është dhunuar nga disa persona dhe po mbahej peng. Kanë qenë familjarët e saj që më pas kanë lajmëruar policinë duke i thënë se vajza e tyre është rrëmbyer nga persona që kanë edhe armë dhe që e kanë dhunuar.